Në periferi të Milotit jeton familja Haxhiu. 5 muaj më parë, jeta e tyre ndryshoi rrënjësisht. Ishte shtator, kur pas shumë vizitash mjekësore, diagnoza u përcaktua. Erkida, vajza e tyre 7-vjeçare, vuante nga leuçemia.
Mamaja e saj Valentina ka braktisur punën si infermiere dhe tani ka vetëm një qëllim: të shërojë vogëlushen e saj. Me lot në sy, ajo pyet zotin se përse kjo sëmundje zgjodhi pikërisht vajzën e saj.
Asgjë s’mund të jetë më si më parë edhe për Emiljanon dhe Ernestin, dy vëllezërit e Erkidës.Tashmë ata kanë harruar të buzëqeshin.
Lutjeve të familjes u bashkohen edhe ato të tezes së Erkidës.
Tanimë, sëmundja i ka caktuar rregulla të reja 7-vjeçares, e cila jeton një fëmijëri të mohuar.
Shpezimet e shumta janë një tjetër barrë e rëndë për këtë familje, përveç sëmundjes së vajzës së vetme. Çdo javë, rruga drejt Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë, bëhet edhe më e vështirë. Minutat e pritjes për një makinë drejt kryeqytetit janë të gjata.
Shtëpia e saj e dytë është bërë një dhomë në pavionin e Onko-Hematologjisë, ku durimi i Erkides skalitet në çdo seancë kimioterapie.
E gjitha kjo tingëllon e vështirë për një fëmijë si puna e saj, me energjitë që po i humbasin çdo ditë. Por, ajo lufton, beson dhe kërkon shërim…
Top Channel