PD, Besnik Aliaj në krye të Departamentit të Zhvillimit Urban

30/01/2016 10:35

Kryetari i Partisë Demokratike emëroi zotin Besnik Aliaj në krye të Departamentit të Planifikimit dhe Zhvillimit Urban.

Në një njoftim për shtyp të selisë blu, Besnik Aliaj vlerësohet si një nga personalitetet më të spikatura të kësaj fushe në dy dekadat e fundit në Shqipëri.

Doktor i Shkencave në Planifikim Territorit, Aliaj e ka nisur aktivitetin e tij në fillim të viteve ‘90 në qeverisjen vendore. Për 16 vite ai ka qënë pedagog në Universitetin e Tiranës dhe në Akademinë e Arteve të Bukura.

Doktor Aliaj ka kryer studime pasuniversitare dhe specializime në Danimarkë, Holandë, Norvegji, Itali dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, saktësohet në njoftimin e PD.

Gjithashtu, ai ka bashkëpunim të vazhdueshëm me organizmat ndërkombëtare dhe është autor i dhjetëra botimeve e punimeve shkencore.

Aliaj është edhe themelues i organizatës joqeveritare në fushën e planifikimit dhe zhvillimit urban CO-PLAN, si dhe themelues e drejtues i Universitetit Polis, institucion elitar i arsimit të lartë dhe kërkimeve shkencore në fushën e arkitekturës, planifikimit urban dhe inxhinierisë.

Ndërkohë, angazhimin politik ai e ka nisur në periudhën 2004-2005 si pjesëtar i Komitetit të Orientimit të Politikave pranë PD. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 Aliaj kandidoi për Partinë Demokratike përballë kryeministrit te atëhershëm, Fatos Nano.

Ai është zgjedhur në tre legjislaturat e fundit në Këshillin Bashkiak të Tiranës si këshilltar i Partisë Demokratike. 

Top Channel