Super Bowl 50, nisin përgatitjet e finales

29/01/2016 11:10

Në 7 shkurt do të zvillohet finalja e Super Bowl 50 mes Denver Broncos dhe Carolina Panthers në San Francisco. Në “Levi’s Stadium” të Santa Klarës tashmë kanë nisur përgatitjet për ngjarjen më të madhe të sportit amerikan.

Me qindra punëtorë po punojnë për të krijuar ambientin më spektakolar të mundshëm në këtë impiant që u përurua në vitin 2013. Fjalën kryesore në këto përgatitje e ka padyshim teknologjia, gjë që u konfirmua edhe nga drejtori i Operacioneve të NFL-së, Erik Finkelstein: “Do të krijojmë një aplikacion të tillë që të gjithë tifozët të ndjejnë sa më mirë finalen e Super Bowl”.

Në të njëjtën kohë, Finkelstein theksoi se shpreson që moti i keq që ka mbërthyer SHBA-në të mos shkaktojë asnjë problem në ditën që do të luhet finalja e madhe e National Football League, një ndeshje kjo që kërkon edhe një kosto të lartë për ata që dëshirojnë ta shohin në shkallët e stadiumit. Mësohet se çmimi i biletave të radhëve të para në impiant arrin deri në 30 mijë dollarë, ndërsa bileta më e lirë shkon 3800 $. Përsa i përket marketingut, një publicitet prej 30 sekondash kap vlerën e 5 milionë dollarëve.

Sfida mes Denver dhe Carolina do të jetë përballja e mbrojtjes dhe sulmit më të mirë. Skuadra e Panthers ka shënuar 31.3 pikë për ndeshje, ndërsa Denver ka regjistruar mbulimin e 283.1 yard për ndeshje. Kjo ndeshje mund të bëjë që “quarterback”-u i Carolina, Cam Newton, të shënojë emrin e tij në historinë e futbollit amerikan. Nëse Panthers fiton, atërherë ai bëhet i pari sportist që triumfon në Kampionatin e Kolegjeve, Heisman Trophy, Super Bowl dhe çmimin MVP të National Football League.

Në të njëjtën kohë, kjo finale është edhe përballja mes sportistëve që në të kaluarën kanë qenë zgjedhjet e para në kampionat, Peyton Manning që ishte zgjedhja e parë në draftin e vitit 1998 dhe Cam Newton që u zgjodh i pari në Draftin e NFL në vitin 2011.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA