Godet nxënësin në orën e mësimit, ndalohet mësuesi

29/01/2016 11:20

Është ndaluar nga policia e Durrësit mësuesi Flamur Pajo, pas publikimit në rrjetet sociale të goditjes fizike të njërit prej nxënësve të tij.

Specialistët për krimet në komisariatin e policisë Durrës, pas vënies në dijeni mbi ngjarjen dhe marrjes së dëshmive të nxënësve të klasës 7 në shkollën “Hasan Koçi” në Shkozet, kanë ndaluar shtetasin Flamur Pajo, 51 vjeç, mësues i biokimisë në këtë shkollë.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Pajo është ndaluar pasi të martën, gjatë zhvillimit të orës së mësimit, ka goditur me pëllëmbë nxënësin e klasës së 7, me inicialet A.H. 14 vjeç, banues në Durrës.

Ndërkohë, nxënës të shkollës kanë vendosur të organizohen për të protestuar në mbrojtje të mësuesit të tyre.

Kodi Penal parashikon që kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhërave arbitrarë nga ana e punonjësit që kryen një funksion shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në shtatë vjet.

Top Channel