Antonio Conte, gati për pankinën e Chelsea

29/01/2016 14:20

Antonio Conte do të jetë trajneri i ardhshëm i Chelsea. Të paktën ky është konstatimi i mediave britanike, të cilat kanë zbuluar një takim të hershëm të trajnerit aktual të kombëtares italiane dhe klubit londinez.

Sipas “Daily Mail”, palët janë takuar në periudhën e Krishtlindjeve dhe detajet pritet të diskutohen pas përfundimit të kampionatit anglez dhe finaleve të Evropianit, ku Conte do të jetë i impenjuar në drejtimin e Italisë.

Mauricio Pochettino dhe Masimiliano Allegri janë dy emrat e tjerë të përfolur, ndërsa drejtuesit e Chelsea janë të bindur se Pep Guardiola ka arritur një marrëveshje paraprake me Manchester City.
 
Ndërkohë, sipas të njëjtit burim, Conte mendohet se e ka vënë në dijeni Federatën Italiane të Futbollit (FIGC) për shkëputjen e tij nga detyra e trajnerit të ekipit kombëtar, menjëherë pas përfundimti të Evropianit.
 
Vetë Conte është shprehur se është gati për një eksperiencë jashtë Italisë, pasi fitoi 3 tituj kampionë si trajner me Juven dhe 5 si futbollist, ndërsa është duke studiuar edhe gjuhën angleze.

Ndërkohë, FIGC-ja ka filluar seriozisht punën për të gjetur zëvendësuesin e Contes në pankinën e kombëtares.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA