SHBA, arrestohen liderët e protestës së Oregonit

27/01/2016 10:10

Blici i agjentëve të FBI-së kundër aktivistëve, që mbanin të pushtuar nga 2 janari një rezervë natyrore në Burns të Oregonit përfundoi me një të vdekur dhe prangosjen e vëllezërve Ammon  e Ryan Bundy, krerët e protestës. Situata është rënduar pas këtij zhvillimi, që rrezikon të ndezë gjakrat duke sjellë të tjera episode dhune.

Për javë të tëra, autoritetet u treguan të duruara. Forcat speciale qëndruan larg dhe ndërmjetësuesit u përpoqën të shmangnin përplasjen, me shpresën se do të arrinin t’i bindnin militantët të largoheshin vullnetarisht.

Taktika e adoptuar për anashkalimin e incidenteve tërhoqi, megjithatë, një valë të madhe kritikash: veprimi u pa si tolerancë e tepruar ndaj një akti të paligjshëm. Gjithsesi, as qasja e butë nuk funksionoi dhe, mbrëmjen e së martës, agjentët hynë në aksion duke bllokuar në rrugë një grup aktivistësh, që po lëviznin për të marrë pjesë në një mbledhje.

Rindërtimi fillestar i ngjarjes tregon se ka pasur të shtëna, e një burrë është qëlluar për vdekje, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur lehtë. Një orë më vonë, policia lokale iu bashkua forcave të FBI-së për ndërhyrjen në një vendndodhje të dytë, ku – siç thuhet në deklaratën e lëshuar më pas, – u ndaluan dy individë.

Një grup i armatosur njerëzish zaptuan në fillim të janarit një godinë të Parkut Federal të Oregonit, e thanë se nuk kishin ndërmend të largoheshin prej andej. Udhëheqësit e grupit kërkuan lirimin e dy fermerëve të dënuar për zjarrvënie në tokë federale, e pretenduan gjithashtu rikthimin e tokës, që thoshin se ua kishte marrë qeveria.

Familja Bundy është përplasur edhe në 2014-n me autoritetet për të drejtat mbi kullotat. Banorët vendas e mbështetën kauzën e fermerëve, por jo veprimin e armatosur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA