Mbrëmjen e sotme pritet që në “Juventus Stadium” të zhvillohet një betejë e vërtetë. Në orën 20:45, Juventusi dhe Interi do të përballen për gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë. Në Torino ka shumë interes për këtë takim dhe këtë gjë e vërteton fakti se janë shitur të gjitha biletat.
Skuadra që do të dalë fitimtare nga kjo përballje e dyfishtë, në finale do të gjejë fituesen e çiftit Alessandria-Milan (ndeshja e parë përfundoi 0-1).
Juventusi po kalon një formë të shkëlqyer. Bardhezinjtë vijnë pas 11 fitoreve radhazi në kampionat. Suksesi i fundit ishte ai ndaj Romës me rezultatin 1-0, ndërsa Interi vjen nga barazimi i hidhur me Carpin në San Siro (1-1).
Ndeshja e fundit midis Juventusit dhe Interit në Kupën e Italisë është ajo e sezonit 2009-2010. Në çerekfinalen e këtij turneu, Interi i Mourinhos fitoi 2-1 me gola të Lucios dhe Balotellit.
Formacionet e mundshme të të dyja skuadrave:
Juventus: Neto; Rugani, Bonucci, Chiellini; Cuadrado, Pogba, Sturaro, Marchisio, Alex Sandro; Dybala, Morata
Inter: Handanovic; Nagatomo, Miranda, Juan Jesus, Telles; Kondogbia, Medel; Biabiany, Brozovic, Ljajic; Jovetic
Top Channel