Suedia tronditet nga krimi në një qendër refugjatësh

26/01/2016 00:00

Disa orë pas vrasjes së punonjëses 22-vjeçare, qendrën e pritjes për azilkërkuesit e rinj në Suedi, që u kthye në skenën e episodit tronditës, e vizitoi kryeministri Stefan Lofven.

Një krim i tmerrshëm, kështu e përshkroi kreu i ekzekutivit goditjen me thikë të vajzës së re. I dyshuari për ngjarjen, një emigrant 15 vjeç është arrestuar e po merret në pyetje nga policia.

Mediat lokale tha pas incidentit se, rezidentët e strehës në fjalë, të gjithë adoleshentë të moshave 14 deri në 17 vjeç, do të zhvendosen për të kaluar natën në një godinë tjetër. Shumë suedezë, sipas Lofven, tani i druhen përsëritjes së sulmeve të tilla.

“Sot, shumë njerëz në Suedi janë vërtet të shqetësuar se mund të ketë edhe raste të tjera të kësaj natyre, pasi në vendin tonë kanë mbërritur shumë fëmijë e të rinj të pashoqëruar, që kërkojnë azil”, tha Stefan Lofven, kryeministër i Suedisë.

Efektivët e mbërritur në vendngjarje u gjendën përpara një pellgu me gjak, tha për gazetarët zëdhënësi i policisë, Thomas Fuxborg. Agresori – sipas tij, – është ndaluar nga rezidentët e tjerë të strehës.

Viktima, emri i së cilës nuk është bërë i ditur, ndërroi jetë në spital nga plagët e marra. Komisioneri i policisë kombëtare suedeze, Dan Eliasson ka kërkuar 4.100 agjentë dhe staf mbështetës shtesë për të ndihmuar në luftën kundër terrorizmit, për të kryer njëkohësisht deportimet e emigrantëve dhe për të forcuar mbikëqyrjen e qendrave të azilit.

Ka pasur shumë trazira në strehat e azilkërkuesve – sqaroi ai, – ndaj ne jemi të detyruar të reagojmë. 6 muaj më parë situata ishte shumë ndryshe, e në disa vende, tashmë lipset një shtim i ndjeshëm i pranisë policore.

Suedia mori mbi 150 mijë aplikime për azil vitin e kaluar dhe, së bashku me Gjermaninë, konsiderohen si destinacionet e preferuara të shumë refugjatëve dhe emigrantëve, që hyjnë në BE ilegalisht. Kohët e fundit, megjithatë, edhe ajo ka vendosur kontrolle të përkohshme në kufi, me qëllim frenimin e fluksit të të ardhurve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA