Kryeministri britanik David Cameron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë zhvilluar një bisedë telefonike, gjatë të cilës kanë gjetur pika të përbashkëta sa i takon bashkëpunimit të Britanisë me BE-në.
Downing Street njoftoi se, mes vendeve europiane ka një qëndrim pozitiv ndaj planeve të zotit Cameron, por bashkë me Merkel ai pranoi se duhet punuar për të gjetur zgjidhjet e duhura.
Një zëdhënës tha se, kryeministri dhe kancelarja diskutuan edhe për çështjen e emigrantëve dhe atë të Sirisë, për të cilën javën e ardhshme në Londër do të zhvillohet një konferencë.
Në fokus të bisedës ka qenë edhe plani i Mbretërisë së Bashkuar për të mbajtur një referendum mbi qëndrimin ose jo në BE brenda vitit 2017.
Cameron është angazhuar se do të kërkojë zgjidhjen më të mirë për Mbretërinë në Bashkimin Europian, si një prelud para referendumit, në të cilin britanikët do të votojnë nëse do të duan të qëndrojnë në BE apo të shkëputen.
Së fundmi ka pasur spekulime se shefi i qeverisë britanike mund të thërrasë mbajtjen e referendumit në qershor të këtij viti.
Downing Street deklaroi gjithashtu se gjatë bisedës, Merkel dhe Cameron ranë dakord për një kontroll më të fortë të kufijve për t’i bërë ballë emigracionit, duke nënvizuar se bashkëpunimi me Turqinë në këtë aspekt është thelbësor.
Ata ranë gjithashtu ndanë bindjen se konferenca për Sirinë ka potencialin për të siguruar më shumë mbështetje financiare dhe praktike për refugjatët, që do t’i ndihmonin ata të qëndronin në vendin e tyre.
Top Channel