Schengen, shtetet anëtare vendosin zgjatjen e kontrolleve në kufij

26/01/2016 13:05

Në takimin e ministrave të Brendshëm dhe atyre të Drejtësisë së Bashkimit Europian u pa qartë se angazhimi për të mos e lënë traktatin e Schengenit të dështojë ishte maksimal nga palët. Por në fund triumfoi ideja e domosdoshmërisë për zgjatjen e kontrolleve kufitare me të paktën dy vjet.

“Aktualisht, masat për mbylljen e përkohshme të kufijve mund të merren për një periudhë të kufizuar 6-mujore. Megjithatë, fluksi i papreçedent i azilkërkuesve, ai që po i shtrëngon vendet anëtare të marrin masa të tilla në nivel kombëtar, nuk jep ende asnjë shenjë tkurrjeje. Për këtë arsye, anëtarët e bllokut e kanë ftuar Komisionin Europian të përgatise bazën ligjore e praktike për vazhdimin e kotnrolleve të përkohshme kufitare mbështetur në nenin 26 të kodit të Schengenit për kufijtë”, deklaroi Klaas Dijkohoff, ministri holandez i Emigracionit.

“Nëse situata nuk ndryshon dhe rendit publik e sigurisë së brendshme do të vazhdojnë t’i kanosen rreziqe serioze, atëherë disa shtete anëtare, nuk po i përmend me emrat, mund ta kenë të nevojshëm vazhdimin e kontrolleve kufitare përtej periudhës së parashikuar kohore. Aktualisht jemi duke shqyrtuar të gjitha mundësitë e veprimit gjithmonë në bazë të rregullave të BE-së e po shohim si do të ishte më e udhës të procedohej në këtë rast”, tha komisioneri për Emigracionin, Dimitris Avramopoulos.

“Ne duam të ruajmë Schengenin, por koha po na ikën”, deklaroi ndërkohë ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere.

2016 pritet të sjellë dhe ai një valë të madhe emigrantësh dhe Gjermania, vendi që pranoi vitin e kaluar 1.1 milionë të tillë, tani kërkon “ulje të vazhdueshme, të ndjeshme dhe të qëndrueshme të numrit të azilkërkuesve”, e sipas De Maizierie, ky rezultat duhet të ndjehet që në javët e ardhshme.

Ministri gjerman gjeti mbështetjen e vendeve të tjera të bllokut, pikërisht ato që kërkuan përgatitjen e bazës konkrete për shtyrjen e kontrolleve deri në dy vjet.

Verifikimet e vendosura në kufi nga vende si Gjermania, Austria e disa të tjera, mbi bazën e tanishme të marrëveshjes, duhet të zgjasin deri në muajin maj. Vendimi për zgjatjen e tyre nuk është marrë ende, por sipas De Maiziere, Komisioni Europian është i hapur ndaj një lëvizjeje të tillë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA