Danimarka voton konfiskimin e sendeve me vlerë të azilkërkuesve

26/01/2016 12:35

Parlamenti danez voton sot mbi një propozim tepër të diskutueshëm i cili parashikon konfiskimin e sendeve me vlerë të azilkërkuesve për të financuar kësisoj qëndrimin e tyre.

Kritikat vërshuan si brenda ashtu dhe jashtë kufijve kur nisma u bë publike më herët gjatë muajit. Autoritetet daneze këmbëngulin se një politikë e tillë do t’i vendosë emigrantët në një linjë me danezët e papunë, të cilët duhet të shesin asete deri në një nivel të caktuar për të pretenduar asistencë.

Me mbështetjen e gjerë ndërpartiake që gëzon, projektligji duket i destinuar të kthehet në ligj. Shumë nga kundërshtarët e tij sakaq nuk kanë ngurruar ta krahasojnë planin polemizues me konfiskimin e sendeve personale të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pas kësaj, ministrja e Integrimit Inger Stoejberg u detyrua të njoftonte se të ardhurve nuk do t’u merret asnjë objekt me vlerë sentimentale për ta.

Ligji do të diktojë mbledhjen e më shumë se 10.000 kronave apo 1,340 euro, shifër kjo shumë më e lartë nga 3.000 krona që ishte fillimisht. Rritja e saj u vendos pikërisht pas kundërshtive të mëdha që pasuan njoftimin në fjalë.

Danimarka, dikur kampione e të drejtave të njeriut, sot i ka vënë vetes një qëllim të qartë: të bëhet sa më pak tërheqëse për azilkërkuesit.

Zgjedhjet e qershorit 2015, partia e kryeministrit Lars Lokke Rasmussen i fitoi falë premtimeve për një ngadalësim të menjëhershëm të fluksit të refugjatëve në vend.

Parlamenti do të votojë ndërkohë edhe mbi një tjetër projektligj gjithashtu shumë kontrovers, vonesat në procesin e bashkimit familjar për refugjatët dhe emigrantët, një tjetër përpjekje kjo për t’i dekurajuar që të marrin rrugën drejt Danimarkës.

Amnesty International deklaroi se refugjatët e luftës do të përballen me një “zgjedhje të pamundur” nëse periudha e pritjes për aplikimin që do t’i lejojë të marrin familjet e lëna pas do të zgjatet nga një në tre vjet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA