Misioni i BE-së në Shkup, nëpërmjet profilit në rrjetin social “Twitter”, u ka bërë thirrje partive politike të respektojnë Marrëveshjen e Përzhinos për daljen e Maqedonisë nga kriza politike si dhe punën e Prokurores Speciale, Katica Janeva.
“Të gjithë nënshkruesit e Marrëveshjes së Përzhinos duhet të përkrahin punën e Prokurorisë Publike Speciale”, ka shkruar të hënën delegacioni i BE-së.
Ky reagim i përfaqësuesve të BE-së në Shkup vjen pas fjalimit të së dielës të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili tha se do të duhet të kalojë kohë “derisa ndonjë politikani t’i bjerë ndërmend që në pushtet të vijë me mashtrime, duke bashkëpunuar me shërbimet e huaja, me kriminelë dhe falsifikatorë, si Çaushë, Vanhajtovca, Katica dhe me shitës të mjegullave që qëllim kryesor kanë të reketojnë bizneset në qytetin e tyre”.
I pyetur nga mediat se si i komenton këto pohime të ish-kryeministrit të Maqedonisë, Piter Vanhaute ka thënë se “nuk dëshiron të komentojë fjalimin e Gruevskit”.
Top Channel