Stuhia e dëborës në SHBA, shkon në 20 numri i viktimave

24/01/2016 00:00

Parashikimet e meteorologëve ishin të sakta: ajo që mediat e quajnë “stuhia mamuth” u përplas me të gjithë forcën e saj në Lindje të Amerikës, duke paralizuar rajonin e ku ka prekur gati 85 milionë njerëz.

102 centimetra dëbore kanë rënë në disa zona, ndërsa 11 shtete shpallën gjendjen e jashtëzakonshme. Të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme në Nju Jork u ndaluan. Zyrtarët besojnë se, kjo mund të jetë një prej stuhive më të ashpra në të gjithë historinë e qytetit.

Të paktën 20 vdekje, shumica nga aksidentet rrugore, janë regjistruar që nga e premtja për shkak të motit ekstrem. Me dhjetëra mijëra shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike nga stuhia “Jonas”, ndërsa bllokime të mëdha trafiku, që në disa raste kanë zgjatur edhe 12 orë, u raportuan të shtunën në Kentaki e Pensilvani.

Problemet kanë qenë të mëdha, sidomos në zonat rurale të Virxhinias së përballur me reshje të furishme dëbore. Mbi 1.000 përplasje makinash kanë ndodhur atje, për shkak të kushteve të rënduara atmosferike. I njëjti shtet shënon edhe dy të vdekur nga hipotermia. Reshjet më të mëdha të dëborës, të dhëna këto jozyrtare sipas BBC-së, u shënuan pasditen e së shtunës në:

– Kontenë Bërkli, Virxhinia perëndimore 40 in (102 cm)
– Kontenë Morgan, Virxhinia perëndimore 35.5 in (90 cm)
– Kontenë Uashington, Merilend 34 in (86 cm)

Në Nju Jork, kufizimet e udhëtimit hynë në fuqi një ditë më parë, në 14:30 me orën lokale, për pasojë transporti u pezullua dhe urat u mbyllën. Automjetet e emergjencës e ato të riparuesve janë lejuar të qarkullojnë, por ata që drejtojnë makinza të zakonshme – thotë BBC, – rrezikojnë ndalimin nga forcat e rendit.

Pothuajse të gjitha fluturimet në qytet janë anuluar. Kryebashkiaku Bill de Blasio tha se, në Nju Jork mund të bien deri në 70 centimetra dëborë, çfarë e bën këtë njërën prej stuhive më të ashpra dimërore që qyteti ka parë ndonjëherë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA