“Mendoj për ty”, shfaqet në Tiranë dokumentari sensibilizues kosovar

23/01/2016 18:50

“Mendoj për ty” erdhi në Tiranë, bashkë me mesazhin që përcjell projekti, atë të kujtimit dhe solidaritetit me tmerrin që përjetuan mijëra vajza dhe gra të Kosovës gjatë luftës.

Nisma e ministrit Blendi Klosi dhe presidentes së Kosovës ka sjellë në qendrën CDO shfaqjen e dokumentarit të fushatës për nevojën e mbështetjes së grave dhe vajzave, viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Projekti i artistes kosovare që jeton në Londër, Alketa Mrripa-Xhafa dhe producentes italo-amerikane Anna di Lellio, mblodhi nga gjithë Kosova funde dhe fustane, të cilat u varën në fushën e stadiumit të Prishtinës, si pjesë e insalacionit artistik “Mendoj për ty”.

Presidentja Jahjaga, që është edhe drejtuese e Këshillit Kombëtar të Kosovës për të Mbijetuarat e Dhunës Seksuale, tha se nisma synon jo vetëm solidaritetin, bashkepunimin dhe vendosjen në vend të drejtësisë, por edhe mbajtjen gjallë të mundësisë për të folur dhe treguar tmerrin e përjetuar gjatë luftës nga gratë dhe vajzat e Kosovës.

“Rrëfimi i sotëm është një rrëfim i rëndë i një padrejtësie të madhe të ushtruar mbi popullatën e pafajshme të Kosovës, të mizorisë së një krimi lufte që synoi t’u cënonte dinjitetin mijëra vajzave dhe grave. Aktet çnjerëzore lanë pas një dhimbje të pashtershme të ëndrrave të lëna përgjysmë, të një jete që nuk u arrit të jetohej kurrë, të një paragjykimi që jetoi gjatë mbi supet e tyre”, deklaroi Jahjaga.

Ndërsa zëvendës kryeminsitri Niko Peleshi e cilësoi instalacionin e shfaqur në shumë kryeqytete të botës si një zë të fuqishëm për t’u dëgjuar.

“Projekti “Mendoj për ty”, i shndërruar në një fushatë të vërtetë ndërgjegjësimi për të njohur tmerrin dhe dhimbjen e heshtur dhe më pas për të reflektuar për të, na bën të mendojmë për të shkuarën me sytë nga e ardhmja”, tha Peleshi.

Per ministrin Klosi, fjalët janë të pamjaftueshme për të treguar makrabitetin e ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës, veçanërisht ndaj grave dhe vajzave. Instalacioni, tha ai, ishte një gjetje e goditur për t’u dëgjuar në shumë vende të botës njëkohësisht.

Top Channel