Rama: Nuk e kemi tradhëtuar 21 Janarin. Reforma do t’i hapë rrugë drejtësisë

21/01/2016 11:55

Të gjithë bashkë. Me trishtim dhe dhimbje, familjarët e 4 të vrarëve më 21 janar 2011 kanë mbërritur në Tiranë për të kujtuar 5-vjetorin e asaj ngjarjeje tragjike. Me hapa të ngadaltë i janë drejtuar selisë së qeverisë për t’u takuar me kryeministrin Rama.

Një ritual që përsëritet për të dytin vit radhazi nga shefi i qeverisë shqiptare, nga i cili familjarët e të vrarëve, si sot 5 vjet më parë, kanë shpresën për të bërë drejtësi siç edhe ai ka premtuar kur ishte në opozitë.

“Unë e di fort mirë se plot shqiptarë të ndershëm dhe të revoltuar prej pandëshkueshmërisë së kthyer në sistem, drejtojnë mbi mua gishtin e akuzës për zvarritjen tuaj sfilitëse në kërkim të drejtësisë. Ka jo pak ndër ta, që shpirti i ardhur në majë të hundës nga marrja zvarrë e drejtësisë, prej një kaste të korruptuarish lidhur me mish, në thonjtë e interesave të errëta të politikës dhe të krimit, më quajnë tradhtar të 21 janarit. Nuk kam asgjë me ta, ua marr vesh mirë sëkëlldinë, kur shohin se si përgjegjësit për atë masakër bilbilojnë çdo ditë në emër të popullit dhe pa pikën e turpit kërkojnë hesap prej nesh për kancerin që përhapën në çdo sektor të jetës së vendit dhe për plagët tronditëse sociale që i shkaktuan Shqipërisë.Është cinike dhe poshtëruese, e di shumë mirë, por sot nuk jam kokulur përpara jush dhe nuk do të shkoj kokulur bashkë me ju, as përpara përmendoreve të shtrira në bulevard, pikërisht sepse nuk e kam tradhtuar 21 janarin”, deklaroi Rama.

Duke i quajtur 4 vrasjet e 21 Janarit si “një krim shtetëror pa gjyq në bulevard”, kryeministri tha se, çdo prokuror dhe gjykatës që nuk ndjen sot peshën e turpit për vuajtjen e pashoqe të familjarëve të viktimave, përballë murit të heshtur të kështjellës së sistemit të korruptuar të drejtësisë, nuk e do reformën në drejtësi, por është vetë arsyeja pse kjo reformë duhet bërë me çdo kusht.

“Fakti rrënqethës se dosja e 21 janarit është e vetmja dosje e mbetur pa gjykuar nga viti 2013, në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, ndërkohë që Gjykata e Lartë ka kohë që ka nisur punën me dosjet e vitit 2014, del dhe tepron për të kuptuar se kush e ka kapur për fyti drejtësinë shqiptare, përmes gjykatësish që një Zot e di, sesa më të rënduar nga sa mund ta përfytyrojmë ne, e kanë ndërgjegjen e tyre. Krimi shtetëror i 21 janarit, pushkatimi pa gjyq në bulevard i katër burrave të paarmatosur dhe të pafajshëm, teksa protesta paqësore ishte duke u shpërndarë, hyn ndër ato raste përmes të cilave historia u ka mësuar popujve se drejtësia vonon, por nuk harron. Mund të varroset dosja në varrezën ku Gjykata e Lartë e ka zakon të vjetër të mbulojë me dheun e frikës së anëtarëve të saj, patatet e nxehta që përvëlojnë duart e gjykatësve të tmerruar nga hija e tyre, por nuk mundet dot kurrë të tretet njësoj si trupat e katër të vrarëve, nevoja therëse e drejtësisë për 21 janarin. Kurrë!”, tha Rama.

Së bashku me Ramën dhe disa ministra, familjarët e Ziver Veizit, Aleks Nikës, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt vendosën trëndafila të kuq mbi pllakatet përkujtimore në bulevard. Por, pavarësisht deklaratës së kryeministrit Edi Rama se qeveria që ai drejton nuk e ka tradhëtuar 21 janarin, drejtësia e vonuar për këtë çështje mbetet një drejtësi e mohuar. 

FOTO GALERI
2/12

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA