Tjetër tentativë trafikimi droge nga Kanadaja në Shqipëri, kapet në Durrës “Gelato” me vlerë 1.2 milionë euro Pas publikimit të shkrimeve për Shqipërinë, tek Corriere TV në Itali dhe Daily Mirror në Britani, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u ka dërguar letër redaksive të lajmeve të të dy mediave.
“Jam i bindur që nuk jam i vetmi shqiptar që ndihet keq nga të pavërtetat që u pasqyruan, siç besoj se çdo italian apo qytetar i çdo vendi të botës që ka pasur mundësinë të njohë sadopak Shqipërinë, është ndier keq nga pasqyrimi thelbësisht i shtrembëruar i realitetit shqiptar në reportazhin tuaj”, shkruan ministri.
Ministri Tahiri i quan shpikje shkollat për militantët e ISIS apo mbi 1 mijë rekrutë të paguar e të gatshëm për luftë, duke i quajtur një tullë në murin e mosbesimit.
“Në këtë rast, të pavërtetat e raportuara prej jush për Shqipërinë, duke shpikur shkolla për militantët e ISIS apo mbi 1000 rekrutë të paguar e të gatshëm për luftë, janë një tullë më shumë në murin e mosbesimit që na bën gjithmonë e më të paaftë për të fituar kohën që kemi humbur duke parë si kërcënim njëri-tjetrin, e kësisoj, të paaftë për të fituar kundër kërcënimit terrorist”, nënvizon ministri i Tahiri.
Ai shton se Shqipëria ka një popullsi me shumicë muslimane, por është verbëri të mjaftohesh me kaq për të imagjinuar rrezik terrorizmi në vendin tonë.
“Ndaj, i nderuar, më lejoni t’ju siguroj se shqiptarët krenohen me vlerat e çmuara të tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, një shembull unik që veç krenarisë, ka rrënjosur tek çdo qytetar shqiptar vullnetin për të mos pranuar frikën dhe kërcënimin e terrorit, por kurajon e forcën për të ndërtuar bashkëpunimin me çdo shoqëri të lirë që luftën kundër terrorizmit e fiton më së pari me vlera e besim, pastaj me armë”, shkruan Tahiri.
Top Channel