Seanca e parë e sesionit të ri të Parlamentit zgjati shumë pak, por mjaftueshëm për të krijuar idenë se edhe ky sesion do të rezervojë përplasje të ashpra mes maxhorancës dhe opozitës, sidomos sa i takon reformës në drejtësi.
Ky sesion parlamentar parashikohet të shqyrtojë çështjen madhore të reformës në drejtesi, por dilemat mbeten të mëdha sa kohë klasa politike është ende shumë larg gjetjes së gjuhës së përbashkët, ndaj edhe i është drejtuar sërish Venecias për një opinion të dytë.
Në këtë seancë parashikohej të diskutohej edhe rezoluta e demokratëve për heqjen e dekoratave për personat që kanë shërbyer në kohën e komunizmit. Kjo rezolutë nuk u pranua në sesionin e shkuar për shkak se nuk kishte ndjekur procedurën paralmentare.
Gjithashtu, në kete sesion të ri pritet të bëhet edhe rishikimi i Kodit Zgjedhor përmes një komisioni parlamentar të posaçëm, ngritja e të cilit është miratuar nga Parlamenti.
Demokratët kanë depozituar emrat e përfaqësuesve të tyre. Bashkëkryetar i opozitës është propozuar Oerd Bylykbashi, ndërsa socialistët nuk i kanë përcaktuar ende emrat e tyre në këtë komision.
***
Pas fjalës përshëndetëse dhe njoftimit të kalendarit të punimeve nga ana e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, fjalën e mori kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Edi Paloka. Duke iu referuar artikullit 8-faqësh në “The Economist”, Paloka akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Rama se po shpenzon miliona lekë për mashtrime.
“Miliona të paguara për mashtrime dhe përgjigjia e qeverisë ishte se ‘paguam për të mashtruar të huajt’ dhe akuzuan opozitën si armike që demaskoi këtë fakt. 360 mln lekë të paguara nga taksat për t’i bërë elozhe liderit botëror”, tha Paloka.
Për opozitën, Edi Rama është i pabesueshëm kur flet për reformën në drejtësi dhe Paloka renditi arsyet se përse.
“Edi Rama nuk bind dot askënd se mund të bëhet kalorësi i luftës kundër korrupsionit. Do të kapë drejtësinë sepse do të mbrojë kriminelët dhe të korruptuarit. Për këto arsye nuk kërkon dhe as nuk pret konsensus”, u shpreh Paloka.
Partia Demokratike sheh si zgjidhje të vetme të kësaj situate qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.
“Parlamenti që do të dalë nga zgjedhjet e parakohshme do të realizojë këtë reformë dhe reforma të tjera. Ky është mesazhi i PD; të shkojmë një orë e më parë në zgjedhje dhe qeveri teknike”, u shpreh Paloka.
Ndërkohë, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste bëri publike disa statistika të sesionit të kaluar, ku tha se Sali Berisha ka folur më shumë se Kryeministri Rama.
“Nuk do të kishte asgjë të keqe sikur opozita të fliste për ligjet, për përmirësimin e tyre, për kundërshtimin e tyre, por jo!”, tha Ruçi.
Kreu i grupit të deputetëve socialistë kërkoi tërthorazi nga Ilir Meta zbatimin me përpikmëri të rregullores dhe procedurës parlamentare.
“Të zbatohet me përpikmëri rregullorja e Kuvendit, që secili t’i nënshtrohet procedurave parlamentare dhe të përdoren të gjitha instrumentat parlamentare që të justifikojmë atë që jemi këtu dhe atë për të cilën na kanë zgjedhur zgjedhësit tanë”, u shpreh Ruçi.
Top Channel