Fiks Fare, (pa)siguria në punë

18/01/2016 20:55

Problematika e trajtuar këtë të hënë në Fiks Fare lidhet me sigurinë e punonjësve në punë.

Shumë kompani private punësojnë punonjës pa i siguruar ata dhe në raste aksidentesh, nga ato më të voglat e deri tek fatkeqësi që çojnë në humbjen e jetës së punonjësit, askush nuk mban përgjegjësi.

I tillë është edhe rasti i Qamil Tanushit, baba i tre fëmijëve. Ai humbi jetën shtatë muaj më parë në Malin e Zavalinës teksa ishte duke kryer detyrën e përditshme, prerjen e druve.

“Më është vrarë djali më 17 qershor në firmën e administratorit Xhevahir Aga në Malin e Zavalinës. Duke ngarkuar lëndë drusore në makinë ka humbur jetën. Më pas e kanë marrë, e kanë çuar tek një pemë e prerë, gjoja ishte vrarë nga druri. Kur shkon Policia Gjyqësore e Elbasanit nuk bën këqyrjen e vendit të ngjarjes. E marrin, e mbështjellin me plastmas dhe e hedhin në makinë si njeri pa njeri”, thotë i ati i viktimës, Sabri Tanushi.

Rasti në fjalë ka nisur një seri hetimesh, që ende sot e kësaj dite nuk kanë marrë fund. Familjarët e viktimës kërkojnë mbajtjen e përgjegjësisë nga ana e firmës dhe dëmshpërblim për këtë, por duke qenë se ai nuk figuron i punësuar në asnjë dokument shtetëror, askush nuk u jep të drejtë familjarëve.

Top Channel