Reshjet e dëborës, probleme në juglindje dhe verilindje të vendit

16/01/2016 17:50

Reshjet e dëborës në juglindje dhe verilindje të vendit po shkaktojnë problemet e para, veçanërisht në lëvizjen e automjeteve.

Nga të dhënat e fundit rezulton se në aksin e juglindjes dhe sidomos në Qafën e Thanës dhe Qafë Plloçë lëvizja e mjeteve bëhet me vështirësi për shkak të intensitetit të reshjeve të dëborës.

Reshje dëbore ka në të gjithë zonën e juglindjes, ku raportohen probleme edhe në disa rrugë rurale. Ndërkohë që rruga nacionale megjithatë është e hapur, por në disa pjesë të saj drejtuesit e mjeteve udhëzohen të bëjnë kujdes për shkak të shtresës së deborës që është krijuar.

Reshjet e borës kanë përfshirë edhe verilindjen, konkretisht qarkun Kukës dhe qarkun Dibër, ku trashësia e dëborës shkon nga 10 centimetra në zonat e banuara deri në 30 centimetra në zonat e larta.

Ndërkohë, raportohet që rrugët nacionale, Rruga e Kombit dhe aksi Tiranë-Peshkopi është i hapur, ndërsa rruga Peshkopi-Kala e Dodës kalohet me zinxhirë për shkak se trashësia e borës është më e madhe.

Në aksin Tiranë-Peshkopi, veçanërisht nën zonën e quajtur Pishat dhe Gurët e Skëndërbeut, kërkohet të bëhet kujdes sepse për shkak të temperaturave shumë të ulëta në rrugë ka shtresa akulli.

Kjo situatë ishte paralajmëruar më herët, ndërsa mëngjesin e nesërm për shkak të uljes së ndjeshme të temperaturave pritet që të ketë problem me ngricat në rrugë.

E gjithë java që vjen do jetë me temperatura shumë të ulëta, që do variojnë nga minus 6 në kryeqytet deri në minus 15 në juglindje dhe në verilindje të vendit.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA