Deputeti i PD, Eduard Halimi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se, “urdhëroi sot deputetët e tij që të mos pranojnë kërkesën e opozitës për hartimin e një drafti të vetëm konsensual sipas Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi”.
Në një komunikim me mediat pasditen e së premtes, Halimi ka deklaruar se “Rama pengoi palët që të shkonin bashkë bazuar në një konsensus sipas Venecias, dhe jo të ndarë”.
“Sot ishte dita kur palët politike hoqen maskat, kush ishte për Venecian dhe kush ishte kundër Venecias. Kush ishte për një konsensus sipas Venecias dhe kush ishte për kapje politike të drejtësisë me mazhorancën e pazareve”, ka deklaruar Halimi.
Sipas tij, “vendimi i sotëm i Ramës, që dërgoi një draft të vetin, jo transparent, të pakonsultuar me askënd, të hartuar me urdhër politik, që injoron me arrogancë rekomandimet e Venecias, ishte dëshmi e vullnetit të keq për t’i ikur Venecias, për t’i ikur konsesusit sipas standardeve të Venecias”.
“Opozita tregoi edhe njëherë sot në komision vullnetin e mirë për një reformë konsensuale bazuar në rekomandimet e Venecias, një reforme që bazohet në standarde europiane që shmang çimentimin e kapjes politike sipas draftit të Ramës dhe që do shpjegohet pikë për pikë nga ekspertet e saj, në qëndrimin që do i dërgojë komisionit të Venecias”, ka thënë Halimi.
Top Channel