Dade, padi për shkatërrimin e pyjeve; denoncimi për parkun natyror në Ersekë

08/01/2016 00:00

Pak ditë para zbatimit të moratoriumit, zona pyjore Gërmenj-Shelegur në Ersekë i ishte premtuar një subjekti për t’u shfrytëzuar për lëndë drusore. Banorët e zonës kanë kërkuar ndërhyrjen e strukturave shtetërore, për ndaljen e kësaj masakre në zonan e shpallur monument natyre.

“Parcela që konsiderohet dhe faktikisht ndodhet në zonën e mbrojtur, ku nuk mund të lejohen prerje, ishte planifikuar të jepej me ankand. Ishte përcaktuar edhe data e ankandit dhe ishin paraqitur ato firma që plotësonin kriteret, sipas Ministrisë së Mjedisit, për ta fituar atë. Por ankandi u shmang dhe nuk u zhvillua. Është për të ardhur keq që pikërisht në këtë zonë është lejuar të ketë prerje masive”, deklaron deputetja e Ersekës, Arta Dade.

Por, pak ditë më vonë, subjekti vijoi veprimtarinë e tij në zonën e mbrojtur e Shelegurit, duke masakruar sipërfaqe të tëra pyjore në mënyrë të paligjshme dhe aspak ilegale. Askush nga strukturat shtetërore nuk ndërhyri për ta ndalur atë.

Pas denoncimit nga “Fiks Fare”, deputetja e Korçës, Arta Dade ka marrë imazhet filmike nga emisioni dhe ia ka përcjellë zyrtarisht Prokurorisë së Përgjithshme kërkesën për procedim penal.

“Edhe CD-në që është transmetuar nga “Fiks Fare”, bashkë me një kërkesë për nisjen e hetimit dhe procedurave penale, që prokuroria të nxjerrë personat përgjegjës në linjë vertikale, nga Ministria e Mjedisit deri tek Policia Pyjore. Kërkoj nga prokuroria një hetim të paanshëm, përtej lidhjeve dhe angazhimeve politike apo partiake”, ka nënvizuar Dade.

E intervistuar nga “Fiks Fare”, zonja Dade akuzoi publikisht kompaninë që po shkatërron parkun dhe zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit që nuk ndërhyjnë.

“Përgjegjësit kryesorë duhet të fillojnë nga Ministria e Mjedisit, përfshirë sekretarin e përgjithshëm që është në dijeni të këtyre gjërave”, ka thënë Dade.

Deputetja socialiste ka shtuar se kryetarët e bashkive të cilët do të kenë nën përgjegjësinë e tyre administrimin e sipërfaqeve pyjore nuk mund të qëndrojnë indiferentë, por duhet të veprojnë në mbrojtje të ligjit.

“Tashmë pyjet do të menaxhohen nga vetë ata, prandaj është e pafalshme të kemi një indiferencë nga krerët e bashkive”, ka pohuar Dade.

Dade u shpreh skeptike në zbatimin e moratoriumit për prerjen e pyjeve, që do të nisë të zbatohet së shpejti. “Shqetësimi im do të jetë sa do të zbatohet moratoriumi”, është shprehur ajo.

Masakra ndaj pyjeve sjell fitime në miliona euro për shumë subjekte, të cilat kanë arritur të korruptojnë shumë struktura shtetërore, të cilat nuk veprojnë në zbatim te ligjit.

Në fund të vitit të kaluar, paralelisht me miratimin e moratoriumit, Ministria e Mjedisit pezulloi edhe shume leje shfrytëzimi për zonat më të rëndësishme pyjore që ende nuk janë shkatërruar.

Top Channel