Çarja e argjinaturës së Shkumbinit, situata mbetet e rëndë Çermë

08/01/2016 00:00

Vazhdoi edhe në orët e mbrëmjes vërshimi i ujit nga argjinatura e çarë e lumit Shkumbin. Niveli i tij është rritur ndjeshëm, ku në disa vende ka kapërcyer rrugën nacionale Çermë-Divjakë duke kaluar në tokat dhe banesat në krahun tjetër të rrugës. Edhe pse u përpoqën në disa mënyra për ta bllokuar çarjen e argjinaturës, kjo nuk u arrit.

Qindra banorë, të cilëve iu janë izoluar shtëpitë nga uji, po përpiqen me të gjitha mundësitë që të shpëtojnë bagëtitë. Ata shprehen se situata po rëndohet dhe do ta kalojnë natën jashtë për të ruajtur banesat e tyre.

“Uji nuk kemi se çfarë t’i bëjmë. Bagëtitë i kemi i kemi nxjerrë nga kasollet dhe do të qëndrojmë gjithë natën zgjuar për t’i ruajtur. Problem mbetet edhe ushqimi, pasi me atë që ne kemi arritur të shpëtojmë nga uji, mund të shtyjmë vetëm një ditë ose e shumta dy. Niveli i ujit sa vjen e rritet. Natën do ta kalojmë jashtë”, thotë një prej banorëve.

Por ka dhe nga ata banorë, të cilët nuk kanë mundur të sigurojnë një vend për bagëtitë e tyre.

“Nuk kam ku t’i çojë. Do të qëndrojë gjatë natës me to këtu në rrugë, nuk kam zgjidhje tjetër”, shprehet një tjetër banor.

Intensiteti i prurjeve pritet të ulet në orët në vazhdim. Ndërkohë,  policia e Lushnjes thotë se do të qëndrojë gjithë natën pranë banesave të braktisura për të shmangur ndonjë vjedhje të mundshme.

Situata u përkeqësua në zonën e Çermës në Lushnje, pasi në orët e para të së enjtes nisi çarja e argjinaturës së lumit Shkumbin, ndërsa rreth mesditës uji kishte mbuluar me qindra hektar.

Të mbuluara nga uji kanë qenë zona në fshatin Thanasaj, ku 30 banesa janë nën ujë dhe ku kanë qenë forcat e zjarrfikësve, të cilat kanë arritur të evakuojnë një familje me 5 anëtarë, të cilët ishin rrethuar nga uji.

Situata paraqitet e vështirë edhe në zonën e Divjakës, ku raportohet se qindra ha toke janë nën ujë. Me herët gjatë ditës, i pranishëm në zonat e përmbytura në Lushnje ishte dhe ministri i Bujqësisë, Edomond Panariti.

“Çarja mund të bllokohet me blloqe betoni. Tani do të gjejmë mënyrën me ushtrinë, ndoshta me thasë rëre, në mënyrë që të reduktojmë sasinë e ujërave që rrjedhin në fushë. I bëj apel njerëzve që të largohen nga fusha pasi askush nuk e di se si do të jetë situata e rrjedhjes së Shkumbinit. Ndërkohë duhet të largojmë edhe njerëzit nga banesat. Këtu nuk është çështje dëshira, do të largohen edhe me sforco”, tha Panariti.

Top Channel