Situata nga përmbytjet, harta e zonave më problematike në të gjithë vendin

07/01/2016 00:00

Në njoftimin e fundit për mediat Ministria e Brendshme raporton se gjendja e shkaktuar nga përmbytjet pritet të normalizohet për shkak të rënies së intensitetit të reshjeve.

Megjithatë ende po punohet për evakuimin e banorëve në zonat më të rrezikuara dhe lehtësuar largimin e ujërave. Sipas buletinit të rifreskuar deri në mesnatë në Qarkun e Durrësit lumenjtë Erzen dhe Ishëm po rikthehen në shtratin e tyre. Por në zonat më të prekura, që janë Bashkia e Sukthit dhe Shijakut, po punohet për heqjen e mbeturinave inerte.

Ndërkohë, forcat e ushtrisë kanë evakuuar dhe shpërndarë ndihma për 250 familje. Edhe prurjet në lumin e Lanës në Tiranë janë ulur dhe ujërat sipërfaqësore janë larguar nga disa rrugë. Situata është normalizuar edhe në Lezhë  dhe ushtria në komunën e Zejmenit është duke punuar për hapjen e rrugëve.

Ndërsa në Mirditë janë dëmtuar urat që lidhin bashkinë me komunat. Nga shkarkimi i hidrocentralit të Shkopetit është  gërryer “Rruga e Kombit” dhe për momentin po punohet për mbushjen e trasesë.

Në Qarkun e Elbasanit ka shembje të rrugës nacionale pranë fshati Xibrakë, por qarkullimi i automjeteve nuk është penguar.

Rënie të nivelit të prurjeve ka edhe në zonën përgjatë lumit Shkumbin, nga Elbasani deri në Rrogozhinë, por ende zonat përreth janë të përmbytura.

Ndërsa në Qarkun e Dibrës është dëmtuar rruga kryesore Lurë-Kurbnesh-Rrëshen në vendin e quajtur “përroi i gjeologjisë”.

Në zonën e Kavajës mbetet me probleme grykëderdhja e lumit Shkumbin, ku për pasojë janë përmbytur dhjetëra hektarë tokë bujqësore në fshatin Kalush dhe Sinanballaj.

Ministria Brendshme lajmëron se ndërkohë të gjitha rrugët e tjera nacionale janë të kalueshme.

Top Channel