Sondazhi i përvitshëm i fillimvitit i kompanisë Kapa Research që ka publikuar gazeta “To Vima” në numrin e fundit shkakton shok. Sipas tij, 30% e grekëve kërkon Grexit, pra rikthim tek monedha kombëtare dhrahmi, ndërsa 50% vlerëson se qeveria e aleancës midis Syrizës dhe Grekëve të Pavarur do të bjerë së shpejti dhe do të krijohet një qeveri teknike.

Gjithashtu, 69.5% e të intervistuarve deklaron se 2015 ishte viti i shpresës dhe i zhgënjimit për politikën dhe më shumë se gjysma besojnë se gjërat do të përkeqësohen gjatë vitit 2016.
 
Ndër dy ngjarjet më të rëndësishme të vitit që kaloi grekët përcaktojnë kontrollin e kapitaleve me mbylljen e bankave në verën e kaluar dhe krizën e refugjatëve.
 
Ndërsa përsa u përket personazheve më të rëndësishme të vitit, vendin e parë e zë me 70,4% kryeministri Aleksis Tsipras, ndërsa vendin e dytë ish-ministri i Financave Janis Varoufakis (39.7%).

Sondazhi që është bërë tashmë traditë në 15 vitet e fundit publikohet disa orë pas privatizimit të dytë që kryen qeveria Tsipras të kompleksit të madh turistik Asteras Vouliagmenis përkundrejt shumës prej 400 milionë eurosh ndaj një fondi arab nga Kuvajti dhe një kompanie turke.

Sipas specialistëve që analizojnë gjuhën e shifrave, lëkundja e besimit për gjysmën e grekëve që vlerëson se qeveria Tsipras nuk do të durojë është fakti se ajo do të përballet me dy reformat më të dhimbshme që nuk pranohen nga shumica e grupeve sociale: ajo e sistemit të pensioneve, ku përveç reduktimeve do të ketë edhe shkurtime në shërbimet sociale si dhe reforma për taksat që kundërshtohet sidomos nga fermerët vendas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA