Haxhinasto në rrugën e Kombit: Angazhim që aksi të mos ketë probleme

04/01/2016 00:00

Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto inspektoi në mbrëmjen e së hënës Rrugën e Kombit. Ai tha se ky aks është i hapur pavarësisht reshjeve të shumta të dëborës.

Po ashtu ai theksoi se ka angazhim të plotë nga kompania e mirëmbajtjes, që qarkullimi të mos ketë probleme.

“Ka një angazhim të plotë nga ana e strukturave, gjithashtu nga ana e kontraktorit, i cili ka marrë masat e duhura duke qenë plotësisht i angazhuar. Kontraktori ka siguruar veçanërisht edhe rezervat e duhura të kripës, me qëllim që në asnjë moment kjo rrugë të bllokohet dhe të jetë e pakalueshme. Pavarësisht shërbimit në lartësinë e duhur, është e domosdoshme që drejtuesit të kenë një kujdes të madh në kalimin e kësaj rruge. Kjo është një rrugë që në mot të keq duhet pasur kujdes, sigurisht për ngricat që ndodhin apo për reshjet e borës siç është rasti konkret. Përveç pajisjeve që ka kompania kontraktore, nga ana e Drejtorisë së Emergjencave janë sjellë të gjitha mjetet dhe në rast se do të jetë e nevojshme do të angazhohen. Aktualisht ato po punojnë në disa segmente rrugore të vështirë në zonën e Pukës”, tha ministri Haxhinasto. 

Top Channel