Francë, Kadare nderohet me Legjionin e Nderit

01/01/2016 00:00

Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare është dekoruar me titullin “Legjioni i Nderit” nga shteti francez.

Lajmin për këtë vlerësim prestigjoz për emrin më të njohur në rang ndërkombëtar të letërsisë shqiptare bëhet i ditur nga mediat franceze.

Sipas burimeve mediatike, zotit Kadare i është akorduar titulli “Komandant i Legjionit të Nderit”.

Bëhet fjalë për një tjetër çmim të rëndësishëm për këtë shkrimtar, pas atij të pak viteve më parë në Spanjë, Princi i Asturias.

Në listën e të dekoruarve pas vdekjes ishin 15 pjesëtarë të gazetës satirike franceze “Charlie Hebdo”, që humbën jetën gjatë sulmeve në redaksinë e saj, në janar 2015.

Titulli “Legjioni i Nderit” jepet çdo vit në Francë për personalitet më të spikatura.

Urimi i parë për shkrimtarin shqiptar erdhi nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. “2016 nis me një lajm fantastik: Kadare u dekorua Komandant i Legjionit të Nderit, titulli më i lartë në Francë. Nderim i madh për Kadarenë dhe Shqipërinë”, shkruan Bushati në Twitter.

Top Channel