Rritet çmimi i biletës, por për shoqatat e transportit nuk mjafton

31/12/2015 00:00

Çmimi i biletës për transportin urban do të jetë 40 lekë. Përfaqësuesit e Shoqatës së Transportit u shprehën të pakënaqur nga ky vendim i Këshillit Bashkiak, që la jashtë indeksimit vetëm abonetë e studentëve.

Ervin Shijaku, operator transporti, shprehet: “U indeksua çmimi i biletës dhe aboneja, por doli që aboneja e studentit nuk indeksohet. Nuk kemi asgjë me studentët dhe e dimë shumë mirë hallin e tyre”.

Ndërsa Hazbi Parllaku, përfaqësues i Shoqatës së Transportit, theksoi: “Si ka mundësi që bëhet një indeksim 40 lekë, kur vetë studimet e tyre thonë 50 lekë. Aboneja e studentit thuhet se do të jetë 600 lekë, por kostoja e saj është 2260 lekë. Kush i paguan këto 2000 lekë të reja? Kërkojmë zgjidhje të problemit: ose subvencionim ose rritje të çmimit”.

Përfaqësuesit e shoqatave të transportit u shprehën se rritja e çmimit të biletave dhe të aboneve me 30% nuk plotëson koston që ka realisht transporti publik.

Në 1 janar nuk do të ketë ndërprerje të transportit publik, por pritet të vijojnë negociatat me kreun e Bashkisë së Tiranës për gjetjen e një kompromisi mes palëve.

Top Channel