OSHEE merr masa për garantimin e energjisë për Vitin e Ri

31/12/2015 00:00

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njoftoi ngritjen e një shtabi të posaçëm për të garantuar furnizimin pa ndërprerje me energji gjatë festës së fundvitit.

Kompania bëri të ditur se mbi 1300 punonjës të saj do të jenë të pozicionuar në pikat më kritike të vendit, në gatishmëri të plotë për të riparuar në kohë të shpejtë çdo defekt apo avari të mundshme.

OSHEE bën të ditur se ka ngritur një sistem të dedikuar për raportimin sa më të shpejtë të çdo defekti që mund të vijë për shkak të ngarkesës së lartë në rrjet. Për këtë qëllim ajo ka vënë në dispozcion të abonentëve 6 zyra “call center” në rajone të ndryshme të vendit. Sipas saj, këto zyra do të kenë një staf të dedikuar 24 orë në shërbim të marrjes së njoftimeve për raste të mungesës së energjisë elektrike.
 
Secila nga zyrat rajonale do të ketë një numër të posaçëm telefoni dhe kompania i bën thirrje qytetarëve që të raportojnë për çdo defekt apo ndërprjerje të energjisë.  Vec 6 qendrave rajonale, do të ketë edhe një zyrë kombëtare, ku edhe këtu abonentët mund të raportojnë për ndërprerjet e energjisë.  

Veç furnizimit të qytetarëve, për linjat e rëndësisë së veçantë, ato që furnizojnë hidrovoret, spitalet, objektet e rëndësishme administrative, OSHEE bën të ditur se do të ketë furnizim alternativ me dy drejtime, në mënyrë që në këto objekte energjia të mos mungojë për asnjë moment.

Top Channel