Këshilltarët e Partisë Demokratike depozituan sot në Këshillin Bashkiak të Tiranës dy propozime konkrete. Së pari, për uljen me 30% të taksave dhe eleminimin e tarifave të reja të shtuara dhe së dyti për projektet e investimit që mungojnë në buxhetin e bashkisë.
Sipas këshilltarëve demokratë, paketa fiskale e prezantuar nga Bashkia Tiranë ka një rritje të pashpjegueshme të taksave në nivele të papërballueshme nga bizneset dhe taksa të reja si taksa mbi truallin dhe taksa e përkohshme për arsimin. Për të gjitha këto taksa, këshilltarët e PD-së propozojnë uljen në nivelin 30% që lejon Ligji për Qeverisjen Vendore.
Në një njoftim për shtyp, këshilltarët demokratë shtojnë se “Bashkia Tiranë ka prezantuar një sërë tarifash të reja të cilat ishin hequr. Ne gjykojmë që Bashkia Tiranë duhet të ofrojë shërbimet e saj pa tarifë për të gjithë ata që paguajnë rregullisht taksat. Ky shtim tarifash e rritje taksash është një barrë shtesë për qytetarët, bizneset e fermerët”.
“Një propozim i dytë vjen dhe për projektet e investimeve. Buxheti aktual ka nivelin më të ulët të investimeve publike në 5 vitet e fundit. Për këtë arsye në propozojmë projekte investimi të cilat janë të nevojshme për secilën prej njesive administrative të cilat kanë ardhur nga nevojat e qytetarëve” lexohet në njoftimin për shtyp të këshilltarëve të PD-së.
Top Channel