Korçë, Peleshi në shtëpinë e foshnjës “Lulet e Vogla”

28/12/2015 00:00

Si çdo fundviti, kur shtëpia e foshnjës “Lulet e Vogla” në Korçë vizitohet nga përfaqësues të pushtetit qendror e lokal, dhjëtra vogëlushë jetimë kanë marë urime dhe dhurata.

Në kuadër të nismës së qeverisë për të vizituar 28 qendra sociale në vend, zëvendës kryeministri Niko Peleshi dhe kreu i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo kanë bërë një vizitë në ambjentet e kësaj shtëpie, ku kanë shpërndarë dhe dhurata për të vegjlit.

Mes vogëlushëve të grupmoshave të ndryshme, zv.kryeministri Peleshi ka dhënë edhe premtimin e radhës për një qendër të re sociale që do të hapet në Korçë.

Duke kthyer vëmemdjen tek këta fëmijë, Peleshi është ndalur tek projektet për vitin e ardhshëm, ku sipas tij në pak kohë do të ndërtohet edhe një shtëpi lojrash për fëmijët e qytetit.

Në atmosferën e festave, por edhe në shenjë falenderimi për këtë vizitë, fëmijët e shtëpisë “Lulet e Vogla” kanë recituar e kënduar dhe janë argëtuar së bashku me miqtë që shkuan për t’i vizituar.

Në Korçë ka qenë edhe ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili është ndalur tek Qendra Ditore e Zhvillimit, për personat me aftësi të kufizuara.

Bashkë me 20 të rinj që frekuentojnë këtë qendër, si dhe stafin që asiston personat me aftësi të kufizuara, ministri Koka ka kaluar disa orë duke festuar në një atmosferë të ngrohtë, ndërsa ka përgëzuar nismën e qeverisë për shpërndarjen e kabinetit në këto qendra rehabilitimi në gjithë vendin.

Duke uruar, ministri Koka ministri Koka u dhuroi të rinjve të kësaj qendre mjete didaktike të vlefshme për aktivitete kulturore, argëtuese dhe kreative.

Top Channel