Tiranë, çelen tregjet e lëvizshme për produktet vendase

26/12/2015 00:00

Bashkia e Tiranës ka çelur dy modelet e para të tregut të lëvizshëm për tregtimin e produkteve vendase, të çertifikuara nga Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Këto tregje janë vendosur në fushën Ali Demi dhe pranë sheshit Shtraus, në zonën e Xhamllikut dhe do të qëndrojnë të hapura për konsumatorin gjatë të gjithë sezonit festiv.

“Ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që të konsumojnë këto produkte bio, sepse nga njëra anë kontrolli i këtyre tregjeve nëpërmjet Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit garanton produktet, por nga ana tjetër, duke blerë produkte vendase zhvillohet ekonomia bujqësore e fermerëve të njësive administrative të Tiranës”, deklaroi Andi Seferi, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës.

Në këto tregje do të tregtohen produkte të fermerëve të zonave të Bërzhitës, Krrabës, Petrelës dhe malësisë së Tiranës, Dajtit dhe Shëngjergjit.

Ato janë pjesë e një plani veprimi të hartuar nga Bashkia e Tiranës, “Duaje produktin vendas”, sipas të cilit tregjet e fermerëve do të funksionojnë gjatë të gjithë vitit si tregje të lëvizshme në zona të caktuara të kryeqytetit, në bazë të një grafiku dhe orari të caktuar.

Pak ditë më parë, kreu i bashkisë Erjon Veliaj përuroi dhe hapjen e tregut të shpendëve në Vishnje, Baldushk, ku fermerët e zonës tregtojnë gjelin e detit.

Top Channel