Tetova dhe ndotësi më i madh i ajrit në këtë komunë, Jugohromi, vazhdojnë të jenë kryelajmi në mediat në gjuhën shqipe në Maqedoni.
Pas raportimeve mediatike se qeveria ka vendosur ta pezullojë punën e Jugohromit, është paraqitur edhe ministri i Mjedisit, Nurhan Izairi, i cili ka përgënjeshtruar këto lajme dhe ka thënë se qeveria ende nuk ka sjellë ndonjë vendim për mbylljen e këtij Kombinati.
Ndërkohë, lëvizja “Nëna dhe fëmija”, e mbështetur nga OJQ “Eco Guerilla”, në shenjë proteste kundër ndotjes së ajrit në Tetovë, për fëmijët tetovarë ka organizuar stolisjen e bredhit të Vitit të Ri me simbole të grimcave helmuese PM10.
“Fëmijët do të kenë rastin me kreativitetin e tyre të ilustrojnë ndotjen e ajrit në Tetovë, si pengesë e drejtpërdrejtë për lumturinë e tyre fëmijërore dhe gjithashtu t’i drejtojnë dëshirat e tyre Baba Dimrit për ajër të pastër. Kjo do ishte dëshira më e madhe e çdo fëmije tetovar për Vitin e Ri”, pohojnë për mediat përfaqësues të lëvizjes “Nëna dhe fëmija”.
Top Channel