Nishani u uron Krishtlindjen të krishterëve shqiptarë

24/12/2015 00:00

Me anë të një mesazhi, të bërë publik pasditen e kësaj të enjteje, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u ka uruar festën e Krishtlindjes të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë, kudo ata ndodhen.

“Me rastin e ditës së shenjtë të Krishtlindjes dëshiroj t’iu shpreh të gjithëve urimet më të mira e më të përzemërta në këto çaste të lumtura! Dita simbol e lindjes së Krishtit rizgjon në zemrat e mbarë besimtarëve të krishterë ndjenjat e gëzimit e të shpresës për një të ardhme të ndritur, kur bashkojnë përpjekjet për të ngritur lart vlerat më sublime e më fisnike fetare dhe njerëzore. Sonte urojmë familjarët, të afërmit, miqtë e të njohurit e krishterë, ashtu siç kemi bërë prej shekujsh, e në të njëjtën mënyrë që kemi trashëguar brez pas brezi si shqiptarë, duke kremtuar të gjithë së bashku festat e njëri-tjetrit, në vazhdën e traditës sonë të vyer e të rrallë të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare”, ka theksuar ndër të tjera Presidenti Nishani.

Megjithatë, në këtë ditë të bekuar, kreu i shtetit nuk ka lënë pa kujtuar edhe njerëzit e pamundur, për të cilët kërkon më shumë dhembshuri njerëzore.

“Mendimi dhe lutjet tona shkojnë për njerëzit më me pak fat e në nevojë, të cilëve më shumë se kushdo u duhet ngrohtësi dhe dhembshuri njerëzore. Le të përpiqemi t’ua lehtësojmë vuajtjet dhe mundimet të vetmuarve, të braktisurve, të pamundurve e të sëmurëve, për t’u dhënë shpresë dhe besim! Le të kujdesemi më tepër për njëri-tjetrin, duke qenë prindër, fëmijë, miq, fqinjë dhe qytetarë të mirë, duke mbështetur e zhvilluar komunitetin, ku secili prej nesh jeton dhe punon”, është shprehur Nishani.

Në fund, Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka thënë se shpreson e lutet që paqja e mirësia të mbizotërojnë zemrat e njerëzve nëpër botë, ndikuar kjo edhe prej dhimbjes dhe errësirës së akteve terroriste që kanë tronditur Europën, luftën civile që ka shkatërruar Sirinë e largët, por edhe klithmat e emigrantëve që humbën jetën deteve dhe oqeaneve në kërkim të një jete më të mirë dhe më të sigurtë.

“Uroj që e gjithë bota mbarë të bashkojë forcat, mendjet, shpirtrat e të bëjë përpjekje maksimale për të shpëtuar njerëzimin nga e keqja! E gabuara dhe e keqja le të dështojnë dhe e drejta të triumfojë! Gëzuar edhe për shumë vjet Krishtlindjen dhe iua uroj sa më të paqta e të mbara e në shëndet e harmoni të plotë të shpirtrave, zemrave dhe trupave!”, përmbyll urimin Bujar Nishani.

Top Channel