Gjendje e keqe ekonomike, pesimizëm për të ardhmen dhe pakënaqësi për jetën janë ato që mendojnë grekët në këto momente, duke i bërë ata popullin më të zhgënjyer në BE, sipas raportit të Eurobarometrit që u publikua orët e fundit.
Konkretisht, 60% e të intervistuarve deklarojnë se nuk janë të kënaqur nga jeta e tyre, tre herë më shumë se mesatarja e BE-së. 83% e grekëve nuk kanë besim në të ardhmen, kur në Europë kjo shifër shkon vetëm në 32%.
Gjithashtu, 92% e qytetarëve në Greqi vlerëson se kanë jetuar dikur më mirë sesa tani, por megjithatë 7 në 10 vetë është pro monedhës së përbashkët dhe 8 ndër 10 pro lëvizjes së lirë të qytetarëve evropianë.
Në të njëjtin sondazh, më shumë se gjysma e grekëve (52%) deklarojnë se profesionalisht janë në gjendje të keqe dhe se në të ardhmen kjo do të përkeqësohet. Pothuajse shumica në Greqi (97%) vlerësojnë si shumë të keqe gjendjen ekonomike të vendit dhe 70% besojnë se ajo do të përkeqësohet edhe më në muajt e ardhshëm.
8 ndër 10 grekë nuk kanë besim tek qeveria dhe as tek BE-ja. Për popullin grek problemet më të mëdha janë emigracioni dhe gjendja ekonomike, ndërsa konsiderojnë njëkohësisht si sfidë për qeverinë përballimin e papunësisë rekord në BE.
Gjithashtu, sondazhi i Eurobarometrit ka treguar se në Greqi terrorizmi përbën një burim të madh shqetësimi, sidomos pas sulmeve të Parisit.
Top Channel