Rama në Izrael, Peres: Vendet e vogla mund të bëhen të mëdha përmes edukimit

23/12/2015 13:55

Gjatë vizitës në Izrael, kryeministri Edi Rama është takuar edhe me ish presidentin izraelit, Shimon Peres, në qendrën për paqen “Peres”. Ish Presidenti i Izraelit ka vlerësuar se Shqipëria ka të ardhme premtuese, duke ofruar edhe ndihmën e vendit të tij.

“Me sa di unë ju keni ende probleme, por çfarë bëtë në një kohë të shkurtër është fantastike, ndaj dua t’ju përgëzoj që jeni duke rilindur Shqipërinë që të ketë bukurinë e tokës së saj, mirësinë e njerëzve të saj dhe për përpjekjet për t’u bërë një vend që nuk bazohet vetëm në bukurinë e tokës tuaj, por edhe në shkencë dhe teknologji. Me aq sa mundemi, do të jemi më shumë se të lumtur që t’ju ndihmojmë sepse vendet e vogla mund të bëhen të mëdhenj, jo nëpërmjet ushtrive, por nëpërmjet edukimit. Për mua ky nuk është vetëm një takim diplomatik, por edhe një event shumë emicionues”, është shprehur z. Peres.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi figurën e spikatur të Shimon Peres, si mbartës të mesazheve të mirëkuptimit e bashkëjetesës në paqe mes vendeve. Rama i dorëzoi atij medaljen e Mirënjohjes së Kryeministrisë.

Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësues të spikatur të komunitetit shqiptaro-hebre, që jetojnë atje.

Shimon Peres, është një prej figurave politike më të spikatura për Izraelin, i cili gjatë karrierës së tij ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme për vendin. Ai njihet si një prej personaliteteve që ka përkrahur dhe ka punuar për paqen mes Izraelit dhe Palestinës, mision të cilit i ka kushtuar edhe Qendrën për Paqen “Peres” të themeluar prej tij në vitin 1996.

Top Channel