Opinioni i Venecias, Basha: Harta e rrugës për reformën në drejtësi

23/12/2015 00:00

Lulzim Basha është shfaqur i kënaqur si asnjëherë më parë pas takimit të sotëm me ambasadorin amerikan, Donald Lu.

Sekreti gjendet tek opinioni paraprak të dhënë nga Komisioni i Venecias, të cilin opozita e sheh si garancinë juridike për një reformë që mban larg politikën dhe korrupsionin nga drejtësia.

Këtë bindje kreu i opozitës e ndau me ambasadorin Lu dhe për herë të parë pas shumë takimeve për këtë çështje Partia Demokratike u tregua plotësisht e gatshme të mbeshtesë draftin e ri të reformës në drejtësi, që do të hartohet sipas sugjerimeve të opinionit paraprak të KV.

“Partia Demokratike është e vendosur për zbatimin pikë për pikë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias si udhërrëfyes për një reformë të drejtësisë që do të bëjë të mundur luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe nuk do të lejojë kapjen politike të sistemit të drejtesisë.”, tha Basha pas takimit me amabsadorin amerikan.

Basha nuk u shfaq vetëm bashkëpunues, por edhe pothuajse sfidues në mesazhin, që, siç tha, i drejtohej Edi Ramës dhe Ilir Metës.

“Sot kam një mesazh që i drejtohet drejtpërdrejt Edi Ramës, Ilir Metës dhe deputetëve të shumicës. Është një mesazh që e ndaj me të gjithë qytetarët shqiptarë. Këtu kam draftin e propozimeve të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi. Kjo është harta e rrugës që partitë politike, partitë parlamentare duhet të ndjekin për të përfunduar me sukses reformën në drejtësi. Në emër të Partisë Demokratike i bëj thirrje sot kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, Partisë Socialiste, Lëvizjes Socialiste për Integrim të bëhen pjesë e përpjekjes së Partisë Demokratike për një reformë të plotë, të thellë dhe të shpejtë në drejtësi për të luftuar korrupsionin dhe në të njëjtën kohë për të parandaluar kapjen politike të sistemit të Drejtësisë. Kjo është harta e rrugës dhe Partia Demokratike zotohet që ti përmbahet pikë për pikë rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Ftoj palët e tjera të angazhohen pa vonesë në këtë proces”, deklaroi Basha.

Nga ana e tij, ambasadori Lu nuk bëri asnjë koment pas takimit me zotin Basha, por edhe ai dukej i kënaqur kur u largua nga selia blu. Megjthatë, qëndrimi i ambasadorit nuk mbetet i panjohur.

Ish-kryeministri Sali Berisha e takoi më herët zotin Lu dhe pas takimit kokë më kokë bëri të ditur se ambasadori amerikan i ka shprehur bindjen se, “vërejtjet dhe sugjerimet e Komisionit të Venecias pasqyrojnë gjerësisht qëndrimet dhe vërejtjet e formuluara nga opozita”.

Ish-kryeministri ndau me ambasadorin amerikan bindjen se ky dokument është një bazë solide për t’i dhënë vendit reformën më të mirë të drejtësisë, duke theksuar se vërejtjet dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias provojnë sesa qesharake janë pretendimet se opozita është kundër reformës në drejtësi.

Gjatë takimit me ambasadorin amerikan, Berisha tha se, forcat politike duhet të mbështesin këshillën e urtë të kryetarit të Komisionit të Venecias, i cili u rekomandoi palëve që për reformën në drejtësi të ndjekin të njëjtën politikë si për miratimin e ligjit të dekriminalizimit.

Top Channel