Një tragjedi e re ka ndodhur në ujrat e detit Egje në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, në lindje të ishullit grek Farmakonisi, kur një motobarkë e cila transportonte 29 refugjatë është mbytur për arsye që ende nuk dihen.
Megjithëse kanë mbërritur shumë shpejt ekipet e shpëtimit,13 persona kanë humbur jetën, prej të cilëve 7 fëmijë, 4 burra dhe 2 gra.
15 emigrantë të tjerë janë shpëtuar nga forcat e Marinës Detare që kanë marrë pjesë në operacion, ndërsa ende vazhdojnë kërkimet në zonën detare përreth ishullit për një person tjetër që konsiderohet i humbur.
Tre prej të shpëtuarve janë në gjendje serioze për jetën dhe janë transportuar në spital në gjendje kome.
Tragjedia e re ndodhi vetëm disa orë pasi Organizata Ndërkombëtare e Emigracionit ka deklaruar se numri i emigrantëve dhe refugjatëve të mbërritur në Europë këtë vit, nga toka dhe deti, ka kaluar shifrën prej 1 milion vetë, katër herë më tepër se viti i kaluar.
Më shumë se 800.000 vetë kanë kaluar nga Turqia nëpërmjet Greqisë, prej të cilëve vetëm 500.000 kanë hyrë në Europë nëpërmjet ishullit grek të Mitilinit.
Top Channel