Drejtësia, Halimi: Mbështesim reformën, jo draftin e maxhorancës

21/12/2015 18:45

Partia Demokratike deklaroi edhe njëherë tjetër se mbështet reformën në drejtësi, por jo draftin e hartuar nga maxhoranca dhe komisioni i posaçëm.

Sipas opozitës, draft-reforma e propozuar nga maxhoranca synon kapjen e drejtësisë nga ana e kryeministrit.

“Mbështesim reformën, por jo draftin. Jo draftin sepse nuk bëhet më i mirë KLD nëse Kryeministri çon nga 3 në 5 numrin e anëtarëve që propozon. Skema e krijimit të tre institucioneve të reja është një skemë kapjeje që nuk garanton pavarësinë nga politika. Nuk bëhet më e mirë drejtësia nëse e merr ndër vete kryeministri. Këto ka thënë edhe Komisioni i Venecias, këtë kemi thënë edhe ne”, tha Halimi.

Halimi u ndal edhe tek amnistia e propozuar në Kuvend, duke cilësuar edhe këtë si një amnisti që liron hajdutët, kontrabandistët dhe kriminelët, por lë në burg qytetarët e pamundur që janë burgosur për mospagesën e energjisë elektrike. 

“Burgjet janë plot me peshq të vegjël sepse peshqit e mëdhenj të kontrabandës, drogës dhe krimit janë jashtë. Kjo ndodh sot! Amnistia ka një listë të zezë të atyre që nuk përfitojnë asnjë ditë amnistie dhe ata janë të pamundurit e energjisë elektrike. Hajdutët përfitojnë nga amnistia, ndërsa të pamundnurit e energjisë jo. Hajdutët e biznesve, makinave, kontrabandistët aministohen, ndërsa të pamundurit jo”,  tha Halimi.

Deputeti demokrat akuzoi kryeministrin Edi Rama për ndërhyrje të drejtpërdrejta ndaj gjyqtarëve.

“Kjo nismë është hipokrite, tipike për këtë qeveri dhe për Edi Ramën. Tipike për Edi Ramën që ditën bërtet për reformën në drejtësi dhe natën merr gjyqtarët në telefon dhe u thotë se çfarë vendimi duhet të marrin. U bërtet kur lirojnë të pamundurit dhe i përkëdhel kur lirojnë hajdutët, kontrabandistët dhe kriminelët”, shtoi ai.

Top Channel