Sinjalistika rrugore, Haxhinasto: Mos i dëmtoni, janë ashpërsuar gjobat

19/12/2015 00:00

Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto i bën thirrje qytetarëve të mos dëmtojnë sinjalistikën rrugore, teksa u kujton edhe ashpërsimin e gjobave.

Ministri, bashkë më drejtorin e Rrugëve Dashamir Xhika ka inspektuar punimet që po kryhen në përmirësimin e sinjalistikës rrugore në aksin Rrogozhinë- Kapshticë, një projekt ky me vlerë 8 miliardë lekë.

“Shumë e rëndësishme të kuptohet nga qytetarët që ky është një investim që realizohet nga taksapaguesit shqiptarë, janë kontributet e tyre dhe duhet të kuptohet që ndikon drejt për drejtë në sigurinë e rrugës. E dini që para pak kohe janë miratuar disa amendime përsa i takongjobave dhe masave të tjera për dëmtimin e sinjalistikës dhe shkarravitjet e permetrit të rrugës, që sot janë në vlerat 25 mijë deri ne 100 mijë lekë të reja”, tha Haxhinasto.

Një tjetër projekt i madh i qeverisë Shqiptare sipas Haxhinastos është ai për mirëmbajtjen e 1300 km akse rrugore kombëtare, projekt i cili, tha ai, do të sjellë një standard europian në mirëmbajtjen e rrugëve dhe sigurinë e tyre.

Top Channel