Kosovë, thirrje për përfshirje më të madhe të grave në drejtësi

18/12/2015 14:00

Përfaqësues të qeverisë dhe ambasadorë të akredituar në Prishtinë kanë bërë thirrje për përfshirje më të madhe të grave në sistemin e drejtësisë. Gjatë takimit në Forumin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, u kërkua që edhe roli i grave në të gjitha institucionet të jetë më i madh.

Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë, tha: “Juve, femrave të nderuara të sistemit të drejtësisë, ju ftoj që me ngulm të vazhdoni këmbëngulësinë që e keni edhe në punë, edhe në jetë, por edhe ndjesinë që e keni ndaj rasteve të ndryshme. Më lejoni të përmend disa raste që ndoshta për juve janë me më rëndësi. Ne kemi shumë raste të dhunës në familje dhe ju jeni ata që duhet të i drejtoni, jo vetëm me këmbëngulësi por edhe me ndjesi. Dhe të gjitha rastet, edhe nëse dëshirojnë gjyqtarët dhe prokurorët meshkuj t’i trajtojnë, unë ju kisha ftuar që t’i merrni dhe me prioritet t’i trajtoni mirë. Fuqizoni sistemin e drejtësisë në vendin tonë, nuk fuqizohet sistemi i drejtësisë dhe nuk fuqizohet Kosova nëse nuk fuqizohet 50% e njerëzve që i kemi brenda”.
 
 
Ndërsa Greg Delawie, ambasador i SHBA-së në Kosovë, deklaroi: “Do të përqendrohem në një çështje që është me interes të madh për qeverinë amerikane, luftimi i dhunës në familje, me ndihmën e departamentit të drejtësisë dhe të programit për zhvillim të Kombeve të Bashkuar. Zëvendësministri i Drejtësisë para ca kohësh ka kryer një vlerësim të strategjisë së dhunës në familje në Kosovë. Në atë vlerësim u theksua se edhe pse ka pasur përparim në vitet e fundit, siç është miratimi i ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje, megjithatë ka ende probleme të mëdha. Për fat të keq, siç po dëgjojmë edhe nga shtypi ditor, viktimat e dhunës në familje ende nuk i marrin shërbimet më se të domosdoshme dhe keqbërësit vazhdojnë të mos ndëshkohen për krimet e bëra. Më vjen mirë që ky problem më në fund po e merr vëmendjen e duhur”.
 
Forumi i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve është një iniciativë e nisur në muajin mars 2013, muaj i cili në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njihet si muaji për të drejtat e grave dhe synon përfshirjen më të madhe të grave në punë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA