Dy drejtorët e përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë u takuan të premten në Prishtinë. Në takimin e përbashkët, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi, u vlerësua se bashkëpunimi mes dy policive ka përparuar, ndërsa u prezantua edhe marrëveshja e radhës për bashkëpunim.
Haki Çako, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, u shpreh: “Kemi nënshkruar një marrëveshje teknike midis dy policive që konsiston në bashkëpunimin konkret dhe në këtë kuadër kemi dhe një sërë masash të tjera dhe prioritetesh të paravendosura në vazhdën e gjithë bashkëpunimit që ka pasur policia e shtetit shqiptar dhe Policia e Kosovës gjatë vitit 2015, por edhe prioriteteve të tjera në luftë kundër terrorit, kundër trafiqeve të ndryshme, krimit të organizuar, por edhe për aspekte të tjera të bashkëpunimit”.
Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tha se në vitin 2015 dy policitë patën bashkëpunim shumë të afërt në realizimin e objektivave të përbashkëta me rëndësi jo vetëm për vendet tona, por për gjithë rajonin: “Policia e Kosovës dhe ajo shqiptare sot janë një garanci e fortë e stabilitetit rajonal dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen, në të gjitha aspektet që lidhen me sigurinë e në veçanti me çështjet që sot janë shqetësuese, siç është radikalizmi i dhunshëm dhe terrorizmi, por natyrisht edhe krimi i organizuar me fokus të veçantë të atij transnacional”.
Kreu i Policisë së Kosovës vlerësoi se kjo marrëveshje duhet të ekzistojë mes dy policive e cila do të ndihmojë në përfitimin e përvojave të reja në këtë fushë specifike.
Burime brenda takimit thanë për Top Channel se është shyqrtuar edhe mundësia që së shpejti të dyja policitë të kenë vetëm një pikë kontrolli kufitar për qytetarët.
Top Channel