40-vjetori i ASHAK-së

18/12/2015 14:30

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami, në 40-vjetorin e themelimit ka thënë se Akademia e Kosovës asnjëherë nuk do të përfshihet në politikat ditore. Islami foli për sfidat që përcollën akademinë përgjatë 40 vjetëve.

“Kthesat e mëdha shoqërore, trysnitë, urrejtjet dhe represioni, deri te përpjekja për zhbërje biologjike, turbulencat që shembën shoqërinë kosovare dhe që më në fund sollën çlirimin dhe pavarësinë e shtetit më të ri në Evropë janë ngjeshur e pasqyruar në ecjen tonë, në rrugën e mundimshme për të arritur këtu ku jemi”, tha Islami.

Në 40-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave të pranishëm ishin edhe udhëheqës të institucioneve të Kosovës. Presidentja Atifete Jahjaga theksoi: “Ne duhet të ndërtojmë kulturën politike të dialogut dhe ta pasurojmë diskursin në sferën tonë publike për të ardhmen tonë të përbashkët që tejkalon ndasitë ndërmjet forcave politike. Argumenti i forcës dhe fuqia e numrave nuk mund të zëvendësojë bashkëbisedimin. Ne nuk guxojmë të vëmë në rrezik partneritetin me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian, e as t’u zëmë frymën zhvillimeve demokratike dhe të rëndojmë jetën e qytetarëve të vendit”.

Kryeministri Isa Mustafa tha se pa Akademinë e Shkencave, Kosova nuk do të ishte e pavarur: “Roli dhe aktiviteti, mendimi dhe organizimi që kanë buruar nga akademia jonë, janë të rëndësisë së esencës së progresit të vendit tonë në rrafshin historik, politik, ekonomik dhe atë social. Një gjë është e sigurtë, pa Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pa mendimin veprues të saj, Kosova dhe populli i Kosovës nuk do të ishin këtu ku jemi sot”.
 
Ndërsa kryeparlamentari Veseli i ka vlerësuar këto vite të akademisë si ringritje të popullit të Kosovës: “Ne sot jemi krenarë se ia dolëm të përmbushim qëllimin më fisnik që mund të ketë një popull modern, të jetojë i lirë në tokën e tij, në gjuhën, kulturën dhe identitetin e tij. Ne sot jemi krenar me faktin se akademia jonë e shkencave në tërë historinë e saj ka qenë në shërbim të këtij qëllimi fisnik. Të qenurit në shërbim të lirisë është nderi më i madh për një institucion të shkencës dhe artit”.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në 40-vjetorin e themelimit kërkoi investime më të mëdha në mënyrë që akademia të ketë mundësi më të mëdha për hulumtime dhe kontribut të vlefshëm shkencor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA