Vlahutin: Qeverisja vendore, informacion dhe transparencë për qytetarët

17/12/2015 10:15

Në Tiranë është mbajtur Konferenca Vjetore e Avokatit të Popullit, me temën “Pushteti vendor dhe të drejtat e njeriut”. Të pranishëm kanë qënë edhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, dhe ai i OSBE-së, Florian Rauning.

Lufta kundër korrupsionit është e rëndësishme, është shprehur ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin. Njerëzit duhet të dinë për çfarë paguajnë tha ajo, dhe kjo bëhet nëpërmjet informacionit dhe transparencës.

“Qeverisjet lokale duhet të gjejnë mënyra për të integruar zonat rurale, të menaxhojnë më mirë shpenzimet dhe të gjejnë mënyra për të tërheuqr investimet. Duhet të ofrojnë mundësi për projekte konkrete, një element i rëndësishëm për qeverisjen e mirë është transparenca. Mekanizma për kontrollin, të dhënat e buxheteve, planet e shpenzimeve për vitin e kaluar dhe aktual, informacion për prokurimet etj. Është me rëndësi për të luftuar korrupsionin dhe për ta bërë të mundur që njerëzit të dijnë për çfarë paguajnë. Informacioni dhe transparenca mund të përmirësohen në reformat e decentralizimit”, tha znj. Vlahutin.

Ndërsa ambasadori i OSBE-së, Florian Rauning tha se qeverisja vendore ka nevojë për burime financiare dhe njerëzore për të përmbushur kompetenat e tyre për shërbime cilësore

“Qeverisja e mirë vendore është mjet pë të patur shërbime më të mira për qytetarët dhe është qëllim sepse vlerat, politikat dhe institucionet e saj udhëhiqen nga parimet e të drejtave të njeriut. Barazia dhe mosdiskriminimi, llogaridhënia dhe shteti i së drejtës. Të vazhdojë decentralizimin, dhe kjo nuk është vetëm çështje legjislacioni. Qeverisjes vendore duhet ti akordohen burimet financiare dhe njerëzore për të përmbushur kompetencat e tyre dhe për t’i ofruar qytetarëve shërbime cilësore”, tha Rauning.

Edhe Avokati i Popullit Igli Totozani i kërkoi pushtetit vendor që të jenë më të dhembshur me shtresat në nevojë, me të varfrit, me romët, njerëzit që vuajnë.

“E kuptoj se shpesh përgjigjeni që nuk keni fonde, e kuptoj që shpesh fondet mungojnë, por pavarësisht nga këto: jini të dhembshur me të varfrit, të pastrehët, romët, njerëzit që vuajnë”, tha z. Totozani.

Top Channel