Ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni kërkon përfshirjen e gjithë shoqërisë në luftimin e ekstrezmizmit dhe radikalizmit islamik.
Ai të martën takoi kryetarët e komunave të Kosovës me të cilët diskutoi pjesëmarrjen e qytetarëve në luftën e Sirisë dhe Irakut. Hyseni tha se policia nuk mund ta luftojë e vetme këtë dukuri, por nevojitet një përfshirje më e gjërë, e shoqërisë civile dhe institucioneve të tjera siç janë edhe këshillat komunale për siguri dhe bashkësi.
“Jemi angazhuar që policisë t’i lëmë sa më pak punë duke krijuar mekanizma parandalimi të ekstremizmit në mënyrë që të mos jetë policia i vetmi institucion, përkundrazi janë një varg institucionesh tjera, edhe organizma edhe social edhe politikë, edhe të shoqërisë civile që mund të bëjnë shumë më shumë në parandalimin e ekstremizmit në mënyrë që policisë t’i lihet sa më shumë punë. Edhe një herë po them mund të bëjmë shumë më shumë në parandalim në mënyrë që të mos t’i lëmë policisë punë, të merret në mënyrë retroaktive me pasojat”, tha Hyseni.
Sipas të dhënave zyrtare të institucioneve të sigurisë në frontin e luftës në Shtetin Islamik ende ndodhen rreth 80 shtetas të Kosovës. Autoritetet thonë se si rezultat i bashkëpunimit me Shqipërinë dhe Turqinë është mundësuar ndalimi i rreth 50 kosovarëve, të cilë ishin nisur për në zonën e konfliktit. Kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi kritikoi mediat dhe qarqe të caktuara siç tha ai për vendosjen e kësaj komune në qendër të mediave botërore si çerdhe e radikalizmit islamik. Ai bëri të ditur se në 20 muajt e fundit asnjë qytetar i Kaçanikut nuk ka tentuar të shkojë në ISIS.
“Komuna e Kaçanikut në fakt nga mediat ndoshta mund të them nga qarqe të caktuara që nuk ia duan të mirën këtij vendit është quajtur kryeqytetet i xhihadistëve, gjë që nuk përket me realitetin, të cilin e kanë, por mund të them se edhe mediat vendore kanë kontribuar një gjëje të tillë. Kemi rastin që 20 muajt e fundit nuk kemi asnjë rast të tentimit dhe shkuarjes, kështu që mendoj që edhe me diat duhet të japin këtu një kontribut këtë të rëndësishëm, ku deri dje e kanë përmendur si çerdhe radikalizmit, duhet ta marrin dhe ta potencojnë edhe këtë rast, ku 20 muajt e fundit nuk kemi asnjë rast të shkuarjes dhe ky është një kontribut i përbashkët i gjithë neve”, tha Besim Ilazi, kryetar i Komunës së Kaçanikut.
Nga ana tjetër, shembull pozitiv në këtë drejtim duket se është Komuna e Podujevës, e cila që nga fillimi i luftës në Siri nuk ka dërguar asnjë qytetar në luftë. Numri i përgjithshëm i shtetasve të Kosovës që në faza të ndryshme kanë shkuar në Siri dhe Irak është rreth 300. 50 prej të tyre janë deklaruar të vrarë. Hulumtimi më i fundit i Qendres Kosovare per Studime te Sigurise tregon se në fakt qytetarët e Kosovës në masë prej 70 përqind, e konsiderojnë shqetësuese rekrutimin e qytetarëve dhe shkuarjen e tyre në luftërat e huaja.
Top Channel