Edi Rama ka zgjedhur të mos pushojë këtë të dielë. Bashkë me socialistët e Sarandës bëri një bilanc, rezultati i të cilit është se, kur kanë lënë pas vitin e dytë të mandatit, çfarë po rilind është shteti.
Kryeministri u fokusua tek qëllimi i PS-së në pushtet: “Është e gatshme të marrë sfidat më të vështira, që nuk mendon si të zgjasë jetën në pushtet, duke ia futur pas shpine thikën popullit siç kanë bërë qeveritë e mëparshme dhe siç e ktheu në model të tradhtisë ndaj popullit 8 vjet qeverisje paraardhësit, duke bërë sikur çonin përpara Shqipërinë dhe duke ndërtuar një kështjellë në rërë, një shtëpi pa themele“.
Kryeministri iu referua veçanërisht reformës në sistemin energjitik për të treguar sesi shumica e shqiptarëve i mbështet reformat shtetformuese: “Shqiptarët nuk janë dele“. Kur tha këtë, kryeministri, i cili nuk kurseu ironinë, kishte parasysh opozitën, që po organizon protesta me qëllim largimin e qeverisë.
Edi Rama foli me një fjalor të ashpër sesi e shihte ai Partinë Demokratike: “Vendi ka mbetur pa opozitë. Kjo është një përpjekje për të kthyer të shkuarën. Një arratisje nga realiteti pa kthim. PD-ja do të kthehet në realitet pasi në një ditë të caktuar të kësaj arratisjeje të gjatë të varrosë kufomën që e mban peng”.
Nga Saranda, paralelisht me opozitën që deklaron se nuk do t’i ndalë protestat, kryeministri bëri një tjetër premtim, që lidhej me vazhdimin e reformave: “Me vendosmëri. Nuk ka kthim prapa. Nuk jemi më kur blihet e sotmja me paratë e së ardhmes. Ky është mandat për t’i lënë fëmijëve një Shqipëri me shtet”.
Top Channel