Partitë opozitare kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë mbajtjen e seancës pleanare e caktuar për të hënën.
“Si opozitë jemi në diskutim e sipër për mënyrën e kundërshtimit të seancave. Ato nuk mund të vazhdojnë pa u anuluar marrëveshjet. Gjithashtu do të jemi në lëvizje edhe me tubimet. Pra, do të ketë një formë të kombinuar të kundërshtimit edhe për seancën e radhës”, deklaroi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ndërsa lidhur fjalimin e fundvitit të presidentes Atifete Jahjaga në seancë solmene, të caktuar për më 17 dhjetor, Haradinaj tha se opozita ende nuk ka një qëndrim, por sipas tij, mbajtja e këtij fjalimi pa anulimin e marrëveshjeve me Serbinë nuk ka kuptim.
Nga ana tjetër, lëvizja Vetëvendosje vazhdon të akuzojë qeverinë se po e përndjek opozitën. Në një konfeerencë për shtyp, shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se, arrestimi i deputetëve është bërë në kundërshtim me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit, pasi, siç tha ai, deputeti ka imunitet edhe për veprimet brenda Kuvendit.
“Imuniteti i deputetit nuk ka lidhje vetëm me deklaratat e tij apo diskutimet që ai bën në Kuvend. Në rregullore thuhet qartë që imuniteti lidhet edhe me veprimet e deputetit brenda Kuvendit. Nenet dhe ligjet po interpretohen sipas urdhërave politikë dhe qëllimi në këtë rast është i qartë: persekutimi politik i opozitës”, deklaroi Konjufca.
Ndërkohë, gjatë ditës, deputetes së arrestuar të AAK-së, Donika Kadaj Bujupi i është ndryshuar nga Gjykata Supreme masa e sigurisë nga “paraburgim” në “arrest shtëpie”. E njëjta masë për 30 ditë i është caktuar edhe deputetit të Vetëvendosjes, Faton Topalli, i arrestuar një ditë më parë lidhur me hedhjen e gazit lotësjellës në Kuvend.
Top Channel