“Fiks Fare”, viktimat në punë

07/12/2015 00:00

Ekziston një ligj i cili detyron të gjithë drejtuesit të sigurojnë automjetet e tyre, mirëpo në Shqipëri ende nuk ekziston një ligj që detyron punonjësit të sigurojnë jetën e punonjësve të tyre.

Të dhënat zyrtare nga Inspektoriati i Punës na vërtetojnë faktin se me përjashtim të punëmarrësve që punojnë nën tokë, në zbatim të VKM-së 1109, datë 30.09.2008, për sigurimin e të punësuarve në veprimtaritë minerare nga aksidentet personale në punë, ligji nuk përcakton subjekte të tjera, qofshin këto edhe punë të rrezikshme, pra punëdhënësit nuk janë të detyruar të mbrojnë dhe të sigurojnë jetën e punëmarrësve të tyre sado e rrezikshme të jetë puna që këta të fundit e bëjnë.

Në Shqipëri, deri në vitin 2013, numri i punëtorëve të cilët punon në ndërtim apo infrastrukturë ishte në shkallën 70%, sidomos kur bëhej fjalë për meshkujt. Me ndalimin e ndërtimeve dhe kontrolleve të këtyre të fundit, numri pësoi rënie të ndjeshme e megjithatë ky zanat preferon të jetë i preferuar në vendin tonë.

Cilat janë kushtet teknike në të cilat duhet të punojnë punëtorë të cilët bëjnë punë me rrezikshmëri? Bazuar në udhëzuesin e përgatitur nga Bashkimi Europian për kushtet në kantieret e ndërtimit, kuptojmë se disa prej kushteve minimale të sigurisë në punë nuk respektohen.

Këtu mund të përmendim kokoren mbrojtëse, rripin lidhës të sigurisë nga trupi i punëtorit në objektin ku punon, jelekun mbrojtës, skelat e fiksuara dhe rrjetën mbrojtëse.

Fiksi: Po ju jeni punëtorë këtu?
Punëtori: Po.
Fiksi: Janë kështu, firmë serioze?
Punëtori: Ehuuu. 
Fiksi: As këto kokoret, po kështu këto lidhëse, këto fasadat i keni?
Punëtori: Po, kur punojmë jashtë…
Fiksi: Kishte ca që duhet t’i lidhësh në trup, këto.
Punëtori: S’i mbajmë.
Fiksi: S’i mbani fare?
Punëtori: Jo ore, kur ta kesh të shkruar.
Fiksi: Mbajini gjërat e sigurisë.
Punëtori: Mbaji sa të duash, po e ke të shkruar.

Fiksi: Juve bëni vetëm ndërtim?
Punëtori 2: Ndërtim, me armaturë.
Fiksi: Po këto mjetet e punës, i keni?
Punëtori 2: Po.
Fiksi: Se unë s’po t’i shoh.
Punëtori 2: Po kemi jelek, veç kaq. Po kokoren se mbajmë.
Fiksi: Gjë tjetër jo?
Punëtori 2: Jo.

Nisur nga fakti që siguria në punë lë shumë për të dëshiruar dhe punëdhënësit nuk janë të detyruar të mbrojnë jetën e punëmarrësve të tyre, “Fiks Fare” sjell në vëmendje aksidentin e ndodhur në Moglicë të Korçës ku tre punonjës humbën jetën.

Oltjan Kola, Sokol Elmadhi dhe italiani Giovani Pianna humbën jetën ndërkohë që po punonin në një kantier ndërtimi. Pavarësisht se të tre punëtorët që humbën jetën në prill të 2014-s ishin me kontrata pune, firma nuk mbajti asnjë përgjegjësi për të dëmshpërblyer familjarët.

Vulnet Selameta, familjar i viktimës: Nipi im Oltjan Kola humbi jetën më 29 prill 2014. Ka qenë në marrëdhënie pune si alpinist, i siguruar në firmë prej një viti bashkë me dy shokët e tij, njëri italian dhe tjetri nga Kavaja. As një lloj ndihme apo dëmshpërblimi s’kemi marrë as nga firma, as nga shteti.

Kujtim Kola, babai i viktimës: Oltjani ishte 24-vjeç. Djali ka qenë i siguruar tek firma dhe punonte aty si punëtor. Kemi bo kërkesë për dhënien e dëmshpërblimit, por firma nuk e merrte përsipër fare.

Kimete Kola, nëna e viktimës: Që nga koha kur më ka vdiq djali, unë vij këtu pothuajse një herë në javë në Urgjencë dhe në këtë rast më kanë shtruar përsëri në spital. Kërkoj që për punën që mbaroi djali dhe që vdiq në krye të detyrës 24-vjeç të dëmshpërblehet.

Altin Elmadhi, vëllai i viktimës: Atë ditë ishte shumë shi dhe ne nga ora 16:00 ishim në makinë, pas kësaj ore vazhduam punën që të plotësojmë normën. Edhe unë isha atë ditë sepse kështu na tha përgjegjësi. Deri në orën 18:00 ishim duke punuar dhe erdhi koha që do iknim dhe na vjen një lajmërim nga radio: Shpejt se çunat kanë ngel var. Ne ishim dhjetë minuta larg nga vendi, kur mbërritëm aty dhe Oltjan Kola ishte i pari që u gjend dhe tre çuna po e mbanin në krahë, pastaj ndihmova dhe unë dhe pesë metra më tutje kam parë vetëm kokoren e vëllait tim që ishte zhytur në dhe’. Doktorë nuk kishim, ambulancë nuk kishte dhe pas 1 ore e gjysmë i kemi çuar me makinat e firmës. Kushte nuk kishim. Për punën jemi trajnuar vetëm dy ditë si alpinistë në Tiranë, por si mund të bëhesh alpinist për dy ditë.

“Fik Fare” shkoi edhe tek avokati i firmës për të marrë një prononcim.

Julian Shkjezi, avokat, firma “Gardenline”: Më 29 prill 2014 ka ndodhur një aksident mjaft i rëndë në Moglicë të Korçës ku viktimat së bashku me një grup punonjësish të tjerë të firmave të ndryshme po punonin. Menjëherë Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet dhe nuk ka fajtorë, nuk ka shkaktarë. Procesi i punës së këtyre personave ka qenë pastrimi ose hapja e sparkateve në projektin e “Devoll Hidropower” dhe hapja e rrugëve të aksesit kërkonte edhe sistemimin e sparkateve të këtyre rrugëve. Po ta shikosh nga ana parimore dëmshpërblimi është i drejtë, gjithashtu edhe dëmshpërblimi vjen si pasojë e lidhur ngushtë me përgjegjësinë e fajit. Ne mund të kemi dëmshpërblim lidhur me atë çfarë parashikon ligji për sigurimet shoqërore.
Fiksi: Familjarët e inxhinierit italian iu kanë treguar familjarëve të punëtorëve shqiptarë se kanë marrë dëmshpërblim 1 milion 500 mijë euro.
Julian Shkjezi: Viktima tjetër ka qenë i siguruar në Itali privatisht në institutet përkatëse italiane.

Në një bisedë me familjarët e viktimave, avokati i firmës u kërkon familjarëve të tërhiqen nga gjyqi.

Flasin për gjyqin e dëmshpërblimit

Vëllai i viktimës: Ça do bëhet me dëmshpërblimin e vëllait?
Avokati: Dëmshpërblimin që po kërkon nusja e vëllait e ke fjalën?
Vëllai i viktimës: Po, po… nusja e vëllait po edhe për prindërit.
Avokati: Po a e di që është në proces gjyqësor nusja e vëllait për këtë punë? Ne i kemi diskutuar bashkë që 1,2,3. Ty ta bën fushë me lule ata avokatët se unë i di ça janë ata, e si i bëjnë, e ça bëjnë, etj. etj. Kupton ti, ta bënë kështu sikur do të bëhet nami. Kishe hallin tënd i besove. Ta thash që nuk mund të zgjidhet në këtë formë. Hiqni dorë nga gjyqi. Në qoftë se ti do tërhiqesh dhe bashkë me prindërit, sepse nuk ka vlerë vetëm tërheqja jote. Juridikisht nuk ka asnjë verë sepse vazhdon gjyqi, sikur edhe vetëm njëri nga prindërit ta vazhdojë. Në qoftë se ju tërhiqeni të tre është tjetër histori. Unë ta kam thënë që para dy muajsh, po ranë të në këtë marrëveshje, hajde që nesër të fillosh punë.
Daja i viktimës: Po, për Oltjanin ça bëhet? Ka qenë i siguruar, dhe me këtë sigurim që ky ka pas, si është e mundur që mos te ketë një shpërblim të vogël? Pas të 40-ve, na ka ardhur një punonjësi juaji, administrator, Ermal Bushi, me një letër shkrim që thotë: një pjesëtar i familjes së Ardian Kolës, do të paguhet me 36 mijë lekë të reja për 18 vite. Edhe kjo u mohua. Si t’i japim drejtim kësaj pune?
Avokati: Unë nuk e di që kjo të jetë mohuar ndonjëherë nga askush. E njëjta gjë do të ishte bërë dhe me ju. Tani, jemi pak a shumë në të njëjtat kushte. Kur ti je në gjyq, gjërat duhet të ndahen o do të zgjidhet njëra rrugë, o rruga tjetër.

Përveç hetimeve të bëra nga Prokuroria e Korçës, për të njëjtën ngjarje një inspektim të detajuar bëri edhe Inspektoriati i Punës. “Fiks Fare” kërkoi një përgjigje nga ky institucion në lidhje me këtë ngjarjen e prillit të 2014-s dhe nga përgjigjja kuptojmë që edhe Inspektoriati e ka cilësuar si një aksident.

Janë rritur disa prej masave të sigurisë menjëherë pas aksidentit jo vetëm për firmën “Gardenline” që kishte të punësuar tre viktimat, por edhe për firmat e tjera që bëjnë punë të ngjashme.

Top Channel