TAP, Peleshi e Gjiknuri, në kantierin Vithkuq-Shtyllas

06/12/2015 10:25

Në fazën e parë të punimeve, zv/kryeministri Niko Peleshi dhe ministri i Energjisë Damian Gjiknuri inspektuan kantierin e segmentit Vithkuq-Shtyllas në Korçë, ku po ndërtohen rrugët lidhëse dhe ndihmëse të gazsjellësit TAP.

Viti i parë i punimeve, siç bëri me dije ministri i Energjisë Gjiknuri, do të ketë pjesën më të madhe të disbursimit të parave për projektin, ndërsa deri tani, sipas drejtuesve në kantier, punimet po ecin sipas ritmeve të planifikuara: “Do të ketë një ndikim të menjëhershëm në ekonominë shqiptare. Janë mbi 1000 persona të punësuar dhe kjo është një impakt i madh për komunitetet këtu”.  

Ky projekt, sipas zv/kryeminsitrit Niko Peleshi, edhe pse mund të ndikojë në jetën e përditshme të banorëve, është një nga më të rëndësishmit për ekonominë e vendit, e në këtë pikë ai kërkoi  bashkëpunimin e të gjithë aktorëve lokalë për ecjen me ritme të kënaqshme të punimeve: “Është një projekt i vështirë që do të krijojë problemet e veta në funksionimin e jetës së përditshme në komunitet, por përfitimi do të jetë i madh. Kemi marrë angazhimin serioz të kompanisë në mënyrë që komuniteti ta shohë këtë projekt si përfitim”.

Gjatë vitit 2016 projekti për ndërtimin e TAP-it në territorin shqiptar parashikon shtrimin e tubacioneve. Vendi ynë do të përshkohet nga një linjë prej 242 kilometrash tubacion, në hapësirën tokësore dhe detare. Dalja në det e tubacioneve nga Shqipëria do të bëhet në veriperëndim të Fierit, për të prekur bregun e jugut italian.

Top Channel