Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta vlerëson se ka arritur t’i bindë liderët e partive opozitare që të ulen në tryezë dhe të dialogojnë me përfaqësuesit e Kuvendit dhe të Qeverisë për gjetjen e një zgjidhje për dalje nga kriza politike.
Gjatë qëndrimit të tij prej 24 orëve në Prishtinë, kryeparlamentari shqiptar i shoqëruar nga ambasadori Qemajl Minxhozi takoi kreun e Kuvendit Kadri Veseliu, tre liderët e subjekteve politike opozitare si dhe presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga.
Pas përfundimit të takimeve, Meta tha në një intervistë për Top Channel se është i kënaqur që palët janë pajtuar që të rivendosin dialogun, të cilin sipas Metës është vendosur ta ndërmjetësoj presidentja Atifete Jahjaga.
“Përmes presidentes Jahjaga ky proces do të lehtësohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Do të prodhojë rezultate të qëndrueshme dhe të pranueshme nga të gjithë”, tha Meta për Top Channel.
Meta tha se dialogu mes palëve do të nisë shumë shpejt, dhe ai pret marrëveshje parimore në kuadër të Kushtetutës së Kosovës.
“Mund të them se shoh një disponim pozitiv të gjithë faktorëve për të ecur drejt rivendosjes së një dialogu të qëndrueshëm, demokratik dhe gjithëpërfshirës, i cili do të ndihmojë për të kapërcyer mosmarrëveshjet aktuale në një rrugë sa më parimore, kushtetuese dhe institucionale”, u shpreh kreu i Kuvendit të Shqipërisë.
Vullnetin e sajë për të rivendosur dialogun mes liderëve të partive politike e ka konfirmuar edhe vet presidentja Atifete Jahjaga në takim me kryeparlamentarin shqiptar.
Përmes një komunikate për media, Jahjaga ka konfirmuar angazhimin e saj për të krijuar kushtet për dialog politik mes koalicionit qeverisës dhe subjekteve politike opozitare.
Ndërsa gjatë ditës edhe lideri i Nismës për Kosovën, pas takimit me kryeparlamentarin Meta ka konfirmuar gatishmërinë e gjetjes së një zgjidhje përmes dialogut.
Top Channel