Mustafa, ftesë për dialog me krerët e opozitës për të hënën

04/12/2015 14:30

Kjo e premte shënoi ftesën e parë zyrtare të qeverisë së Kosovës në adresë të opozitës, pas më shumë se 4 muaj bllokade institucionale, për të diskutuar për dy marrëveshjet problematike, atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe atë për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

“Jam sot para jush, t’ju bëj të ditur një ftesë zyrtare, që e kam dërguar sot për drejtuesit e tri partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, Visar Ymerin nga Vetëvendosja, Ramush Haradinajn nga AAK-ja dhe Fatmir Limajn nga ‘Nisma për Kosovën’, si dhe zëvendëskryeministrit të parë, njëherësh kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi”, tha kryeministri Mustafa.

Takimi është caktuar të mbahet të hënën në orën 14:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ndonëse për këtë çështje qeveria do të jetë e hapur edhe për kohën që mund të caktojë opozita.

“I shqetësuar me situatën aktuale dhe i përkushtuar për gjetjen e një zgjidhje sa më të shpejtë në favor të qytetarëve, i kam ftuar zyrtarisht që të ulemi së bashku dhe t’i trajtojmë të gjitha çështjet e ngritura nga spektri opozitar lidhur me marrëveshjet, për parimet themelore mbi themelimin e ASK-së dhe marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Unë jam i bindur se, në rrugën e ndërtimit të shtetit tonë, ajo që na ndan është shumë më e vogël përballë asaj që na bashkon”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Sa i përket kushteve të diskutimit, Mustafa kujtoi se themelimi i Asociacionit rrjedh nga marrëveshja e parë Kosovë-Serbi e arritur në vitin 2013. Vendimi përfundimtar – sipas tij, – do të merret pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës të tregojë nëse marrëveshja është ose jo në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ndërsa për demarkacionin me Malin e Zi, ai paralajmëroi krjimin e një komisioni me ekspertë ndërkombëtarë, pjesë e të cilit do të ishte edhe opozita. Siç tha Mustafa, deri në përmbylljen e këtij procesi, qeveria nuk do të procedojë me ratifikinmin e marrëveshjes në Kuvend.

“Si kryeministër i vendit, jam zotuar se do të respektoj vendimin e Kushtetueses si arbitër përfundimtar, vlerësimin kushtetutes të të gjitha akteve juridike, dhe ju siguroj se ky Asociacion mund të bëhet vetëm në përshtatshmëri me Kushtetutën dhe ligjet, ashtu siç është parashikuar në marrëveshje. Sa i përket shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, qeveria është e gatshme të angazhojë një grup ekspertësh ndërkombëtarë, së bashku me përfaqësues të komisionit shtetëror dhe opozitës”, tha Mustafa.

Për ftesën dhe takimin, që vjen pak ditë nga vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit në Prishtinë, Mustafa tha se është njoftuar Presidentja Atifete Jahjaga dhe partnerët ndërkombëtarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA